Në datën 22 dhjetor ambasadori Pëllumb Qazimi priti në takim europarlamentarin slloven Franc Bogovič, i cili shoqërohej nga dy bashkëpunëtorë të tij. Takimi ishte në vijim të kontakteve të mëparëshme dhe u përqëndrua në arritjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, thithjen e fondeve të paraanëtarësimit, programin Adriatiko-Jonian, si pjesë e Politikës së Kohesionit të BE-së dhe pozicionimin e Shqipërisë ndaj kësaj politike dhe programi. Gjerësisht u diskutua niveli shumë i mirë i bashkëpunimit e lidhjeve ndërmjet dy vendeve në aspektin politik, diplomatik, etj. Por, u nënvizua se në spektrin ekonomik ka ende shumë për të bërë. Dhe në këtë drejtim janë të nevojëshme përpjekje e veprimtari të përbashkëta, të cilat sjellin më pranë sidomos njerëzit e bisnesit, si dhe mundësojnë bashkëpunim ekonomik dhe rritje investimesh.
Bashkëbiseduesit ranë dakort që brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2016 në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë të organizohet një tryezë e rrumbullakët kushtuar bashkëpunimit ndërmjet Sllovenisë dhe Shqipërisë, ku të ftohen aktorë e faktorë nga të dy vendet, sidomos përfaqësues nga fusha e sektorit të bisnesit dhe subjekte me mundësi investimi.