Në datën 23 dhjetor 2015, në Lubjanë, u mbajtën konsultimet diplomatike mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Ato u kryesuan për palën shqiptare, nga z. Ferit Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Strategjike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për palën sllovene, nga z.Tomaž Lovrenčič, Drejtor i Përgjithshëm për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Konsultimet diplomatike ishin pjesë e një dialogu të rregullt mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme. Në këto konsultime u bë një rishikim i përgjithshëm i bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Bisedimet konfirmuan faktin se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se ka interes të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.
Bashkëbiseduesit u fokusuan në mënyrë të veçantë në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe ecurinë e procesit të reformave në vend. Z. Lovrenčič vlerësoi përparimin e rëndësishëm që ka bërë Shqipëria gjatë këtij viti. Ai theksoi se Sllovenia monitoron nga afër ecurinë e reformave dhe pret hapat e mëtejshëm për zbatimin e tyre, mbi bazën e të cilave, pritet që përpara verës 2016 të ketë një debat për caktimin e datës për fillimin sa më parë të negociatave për anëtarësim. Ai konfirmoi se Sllovenia do të mbetet një mbështetëse e zgjerimit të BE-së dhe në këtë kuadër edhe një avokate dhe përkrahëse e fortë e integrimit evropian të Shqipërisë. Sllovenia vlerëson se progresi i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së është një element i rëndësishëm në drejtim të stabilitetit rajonal. Afërsia gjeografike dhe lidhjet e ngushta me këtë rajon përbëjnë një interes të fortë për Slloveninë, u shpreh z. Lovrenčič.
Nga ana e tij, z. Hoxha prezantoi progresin e reformave në Shqipëri. Ai falenderoi për ndihmën konkrete dhe mbështetjen politike që Sllovenia i ofron Shqipërisë drejt integrimit në BE, si dhe shprehu interes për intensifikimin e mëtejshëm në kuadrin bilateral, rajonal e më gjerë.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen gjithashtu vlerësime rreth zhvillimeve rajonale, rreth sfidave aktuale globale, si migrimi dhe lufta kundër terrorizmit.
Z. Ferit Hoxha u prit në një takim të veçantë edhe nga Sekretarja e Shtetit në MPJ sllovene, znj. Darja Kuret Bavdaž.