Sot në datën 20 janar ambasadori Pëllumb Qazimi priti në takim ambasador Damjan Bergant, drejtor i ITF Enhancing Human Security, Slloveni. Bashkëbiseduesit shkëmbyen informacione lidhur me projektet e deritanishme të zbatuara nga kjo organizatë në Shqipëri, si dhe projektet për të ardhmen.
ITF Enhancing Human Security është e angazhuar në Shqipëri që prej vitit 2000. Ajo është organizatë sllovene, qeveritare, jo fitimprurëse. Projektet e zbatuara deri tani në Shqipëri kanë synuar rritjen e sigurisë njerëzore, duke u përqëndruar në fushat e çminimit dhe të pastrimit të hotspoteve nga municione të ndryshme ushtarake të mbetura apo të depozituara nga e kaluara. Bashkëpunimi i organizatës me institucionet në Shqipëri ka qenë dobiprurës. Ndërkohë, projektet e zbatuara janë financuar nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Gjermania, Luksemburgu, Republika Çeke, Sllovenia, Bashkimi Evropian, etj. Organizata ka bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Sllovenisë në Shqipëri. Rezultatet e punës së kryer kanë bërë që 16,6 km katrorë sipërfaqe të ndotura, të dorëzohen të pastruara për autoritetet e qeverisjes vendore.
Në të ardhmen, organizata parashikon që të jetë përsëri e pranishme në Shqipëri, duke bashkëpunuar me autoritetet shqiptare dhe donatorë të ndryshëm, në të mirë të rritjes të sigurisë të njerëzve. Projektet e zbatuara nga organizata janë pjesë e projekteve sllovene të bashkëpunimit zhvillimor me vende të ndryshme.
Ambasadori falenderoi bashkëbiseduesin, shprehu mirënjohje për projektet e zbatuara nga ITF Enhancing Human Security në Shqipëri dhe siguroi për gadishmërinë për komunikim të vazhdueshëm dhe ndihmë për projektet e të ardhmes së afërt në Shqipëri.