Në datën 16 tetor, Ambasada mori pjesë në veprimtarinë ndërkombëtare të bamirësisë ‘SILA- IWCL Bazaar’ të organizuar nga SILA - International Women's Club Ljubljana.
Në këtë veprimtari morën pjesë 35 Misione Diplomatike dhe Konsullore të akredituara në Slloveni, si dhe shoqata kulturore, ku secili prej shteteve u prezantua në stendë të veçantë, në qendër të Lubjanës.
Ambasada u përfaqësua denjësisht me stendën e saj, ku promovoi jo vetëm produktet dhe kompanitë shqiptare, por edhe turizmin dhe të gjithë mundësitë që Shqipëria ofron në 365 ditët e vitit, nëpërmjet materialeve promovuese të shpërndara.
Në stendën e Shqipërisë u ofruan pije tradicionale shqiptare tepër të pëlqyera dhe të kërkuara në tregun slloven, si konjaku, vera dhe rakia. Gjithashtu, pjesë e stendës ishin materiale artistike tradicionale shqiptare, me motive shqiptare dhe me flamurin shqiptar.