Në datën 12 janar ambasadori Pëllumb Qazimi zhvilloi vizitë në qytetin Litija të Sllovenisë. Në kuadrin e vizitës ai u prit në takim nga Aleksandra Gradišek, drejtore e Qendrës Zhvillimore të pjesës Qëndrore të Sllovenisë. Kjo organizatë, e thënë ndryshe Qendër Zhvillimore e Zemrës së Sllovenisë sepse ushtron veprimtarinë në aspektin gjeografik, pikërisht në qendrën e vendit, financohet nga bashkia e qytetit dhe ka krijuar një organizëm me përfaqësim nga dhjetë bashki të tjera. Projektet zhvillimore kapin shumë fusha zhvillimi brenda vendit por edhe në vende të tjera të Evropës Juglindore. Një pjesë e mirë e projekteve realizohen me fonde të Bashkimit Evropian. Projektet e realizuar deri tani kanë mundësuar lidhjet ndërmjet bashkive, banorëve, turistëve, sipërmarrësve dhe vendeve të ndryshme të rajonit.
Projektet në kuadër të makro rajonit Adriatiko Jonian, ku Shqipëria është pjesë, janë një fushë tjetër ku kjo qendër aplikon dhe zbaton projekte në nivel vendor, duke përfshirë bashkëpunim e zbatim projektesh edhe në vende të tjera.
Bashkëbiseduesit ranë dakord që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe në Shqipëri, duke vendosur bashkëpunim si me nivelin e pushtetit qëndror dhe atë vendor. Ndër të tjera, në kuadrin e projekteve të makro rajonit Adriatiko Jonian u nda i njejti qëndrim që të punohet që Shqipëria të jetë nënshkruese e marrëveshjes së partneritetit të institucioneve zhvillimore të Evropës Juglindore. Po kështu, në nivelin vendor, Shqipëria të bëhet pjesë e projektit rajonal “Adrion-Craft”, i cili synon bashkëpunimin në nivelin vendor, ku përmes trainimeve, edukimit, shkëmbimit të përvojave krijohet mundësi më e mirë në fushën e prodhimeve artizanale. Njëherazi projekti synon angazhimin e njerëzve, krijimin e vendeve të punës, rritjen e mirëqënies, lidhjen e prodhimeve artizanale me turizmin, si dhe krijimin e kanaleve të tregtimit të prodhimeve. Projekti, krahas financimeve të tjera mbështetet dhe nga fondet IPA të Bashkimit Evropian.
Ambasadori Qazimi nënvizoi rëndësinë dhe dobinë e takimeve të tillë, si dhe shprehu angazhimin e Ambasadës që për dy projektet e propozuara të realizohet edhe përfshirja e Shqipërisë.