Debati u bashkëorganizua nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe Qendra për Perspektivë Evropiane në Slloveni. Gjatë debatit u ofruan kontribute nga MPJ e Sllovenisë, Mbretëria e Bashkuar, shoqëria civile në Maqedoninë e Veriut, etj. Mesazhi kryesor i debatit ishte se BE, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të duhet të jenë së bashku për të kuptuar rëndësinë gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor, dhe të zgjerimit të BE-së me vendet e rajonit si dhe integrimin euroatlantik të tyre. Gjatë debatit, ambasadori Pëllumb Qazimi theksoi nevojën e kombinimit dhe integrimit të përpjekjeve nga të dy palët, nga BE dhe vendet e rajonit në procesin e integrimit dhe të zgjerimit të BE-së. Njëherazi, ai shprehu pritshmëritë pozitive nga Presidenca Portugeze e Këshillit të BE-së dhe sidomos nga Presidenca Sllovene gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021.