Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit.
Fillimisht, ai do t’i bashkohet Ministerialit të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Evropian, i organizuar nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, George Gerapetritis, në një moment kyç për procesin e integrimit evropian të rajonit.
Ky takim synon të riafirmojë angazhimin e përbashkët për zgjerimin e Bashkimit Evropian, si dhe të forcojë bashkëpunimin politik, duke hedhur bazat për përparim të mëtejshëm në prag të Presidencës greke të Këshillit të BE-së.
Diskutimet pritet të fokusohen në prioritetet e përbashkëta, përfshirë forcimin e sigurisë energjetike dhe ndërlidhjes rajonale, si dhe avancimin e integrimit në sektorët e transportit dhe teknologjisë digjitale.
Gjatë qëndrimit në Delfi, Hoxha do të zhvillojë gjithashtu një takim me homologun e tij grek, George Gerapetritis.
Ministri do të marrë pjesë edhe në disa panele diskutimi që trajtojnë prioritetet dhe sfidat aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë mbi zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Së bashku me homologët e rajonit dhe pjesëmarrës të tjerë, ai do të diskutojë mbi rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor për një Evropë më të sigurt dhe më të fortë.



