Me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, në ambientet e shkollës Rickenbacher Schule, në kantonin e Lucernës, u hap një klasë e re e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, vizitoi klasën dhe u uroi nxënësve dhe mësueses Dorentina Berisha suksese në këtë rrugëtim të rëndësishëm për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar te brezat e rinj në diasporë.
Gjatë vizitës, Ambasadori u shpërndau nxënësve tekstet shkollore të unifikuara të Nivelit I dhe Nivelit II, të botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën.
Ambasada inkurajon prindërit shqiptarë në Zvicër që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në klasat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, duke kontribuar në ruajtjen e gjuhës amtare dhe forcimin e lidhjeve me trashëgiminë kulturore shqiptare.



