Forcimi i pranisë së Shqipërisë në mediat zvicerane dhe zgjerimi i partneriteteve me sektorin e udhëtimeve ishin në qendër të takimeve të zhvilluara në Zyrih dhe Bernë nga Ambasadori Ermal Dredha dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj.
Gjatë bashkëbisedimeve me përfaqësues të PrimCom Switzerland, Shoqatës Zvicerane të Udhëtimeve (SRV) dhe Vögele Reisen, u diskutuan tri mundësi konkrete: organizimi i një udhëtimi njohës për gazetarë zviceranë në Shqipëri gjatë vitit 2027, mundësia e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të SRV-së në Tiranë dhe zgjerimi i bashkëpunimit me Vögele Reisen, e cila prej vitesh sjell turistë në Shqipëri.
Takimet, të zhvilluara me mbështetjen e z. Saimir Shala nga Albanien Reisen, shërbyen për krijimin dhe forcimin e kontakteve të drejtpërdrejta me partnerët zviceranë.
Ambasada dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit do të ndjekin në vijimësi mundësitë e identifikuara, me synim promovimin më të gjerë të Shqipërisë dhe zgjerimin e ofertës së udhëtimeve drejt vendit tonë në tregun zviceran.



