Gjatë fundjavës, në kuadër të aktiviteteve me diasporën shqiptare në Zvicër, u zhvilluan dy ngjarje me rëndësi për promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar.
Në Uster, Ambasadori, z. Ermal Dredha , mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga “ADN Shqiptare”. Nxënësit e klasave shqipe prezantuan një program të pasur artistik me këngë dhe recitime në gjuhën shqipe, ndërsa të rinjtë sollën valle tradicionale nga treva të ndryshme shqiptare, duke krijuar një atmosferë festive. Ambasadori vlerësoi angazhimin e mësuesve, prindërve dhe organizatorëve për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare në diasporë, duke theksuar rëndësinë e transmetimit të tyre tek brezat e rinj.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe gazetari i njohur z. Marin MEMA , i cili theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe unitetit kombëtar.
Ndërkohë, në Universitetin e Lausanne, Shoqata e Studentëve Shqiptarë (AEAUL – Association des Etudiants Albanais de l’Université de Lausanne), në bashkëpunim me koleksionisten Flora Balaj, organizoi një aktivitet kushtuar trashëgimisë kulturore shqiptare. Në këtë aktivitet mori pjesë znj. Monika Zguro nga Ambasada. U prezantua pasuria e veshjeve tradicionale shqiptare dhe u shfaq një program artistik nga shoqata “Ilirët Lausanne”.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bern rikonfirmon përkushtimin e saj për të mbështetur çdo nismë që kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar dhe forcimin e lidhjeve me komunitetin shqiptar në Zvicër.



