Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, mori pjesë në veprimtarinë e organizuar në Aargau me rastin e 10-vjetorit të shenjtërimit të Shën Nënë Terezës, me ftesë të Misionit Katolik Shqiptar dhe të Don Pal Tunajt.
Në veprimtari ishin të pranishëm edhe Don David Gjugjaj, drejtues i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe, si dhe përfaqësues të Misionit Katolik, institucioneve, shoqatave dhe komunitetit shqiptar në Zvicër.
Kremtimi i këtij përvjetori solli në vëmendje trashëgiminë e Nënë Terezës, krenari për shqiptarët dhe figurë universale e humanizmit. Në një kohë të shënuar nga luftëra, ndarje dhe kriza humanitare, shembulli i saj mbetet një thirrje për solidaritet, përkujdesje ndaj atyre që vuajnë dhe respekt për dinjitetin e çdo njeriu.
Veprimtaria përcolli mesazhin se paqja ndërtohet përmes dhembshurisë, mirëkuptimit dhe njohjes së njerëzores që na bashkon.



