Ambasadori i RSH-së në Bernë Ermal Dredha mori pjesë në Asamblenë e 28-të të Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë Zvicër – Evropa Qendrore (SEC), e zhvilluar në ambientet e kompanisë më të madhe zvicerane të hekurudhave “Stadler Rail” në Bussnang, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, botës së biznesit dhe trupit diplomatik nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Gjatë aktivitetit, Ambasadori Dredha zhvilloi takime me Presidentin dhe Drejtorin Ekzekutiv të SEC, z. Oliver Bertschinger, si dhe me z. Philipp Brunner, Zëvendës President Ekzekutiv për Evropën Qendrore në Stadler Rail. Diskutimet u fokusuan në zhvillimet ekonomike rajonale, forcimin e bashkëpunimit me sektorin zviceran të industrisë, si dhe në potencialin për zgjerimin e lidhjeve ekonomike me vendet tona.
Në qendër të bisedimeve u trajtuan gjithashtu prioritetet strategjike të SEC, sfidat ekonomike aktuale dhe ndikimi i zhvillimeve gjeopolitike në industrinë dhe zinxhirët e furnizimit në Evropë.
Në këtë kuadër, në lidhje me investimet në sektorin hekurudhor shqiptar, Ambasadori dhe z. Brunner u dakordësuan për zhvillimin e një takimi të mëtejshëm, me fokus në interesin e palës shqiptare për blerjen e trenave të prodhuar nga kompania Stadler Rail.



