Ambasadori i RSH-së në Zvicër, z. Ermal Dredha, mori pjesë të premten në inaugurimin e zyrës së re të UNITA në Zyrih, një zhvillim i rëndësishëm për bizneset që synojnë zgjerimin në tregjet ndërkombëtare.
Kjo zyrë, e drejtuar nga z. Sokol Cili, përfaqëson një hap domethënës në krijimin e më shumë mundësive, partneriteteve dhe sigurisë për bizneset në procesin e tyre të zgjerimit, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve mes Zvicrës dhe tregjeve globale, përfshirë dhe Shqipërinë.
Në fjalën e tij, Ambasadori Dredha vlerësoi këtë iniciativë si një shembull konkret të angazhimit dhe vizionit të profesionistëve shqiptarë në diasporë, të cilët me punën e tyre po ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik ndërkombëtar.
Ambasada në Bernë mbështet dhe inkurajon iniciativa të tilla, të cilat promovojnë sipërmarrjen, inovacionin dhe bashkëpunimin ekonomik.



