Media zvicerane “Blick” i ka kushtuar vëmendje Shqipërisë turistike përmes dy artikujve që e prezantojnë vendin si një destinacion tërheqës mesdhetar, me plazhe të bukura, trashëgimi të pasur kulturore, peizazhe mbresëlënëse dhe gastronomi tradicionale.
Artikujt ofrojnë këshilla praktike për udhëtimin në Shqipëri dhe veçojnë destinacione si Tirana, Riviera Shqiptare, Saranda, Ksamili, Butrinti, Berati, Gjirokastra dhe Kruja. Përmes tyre, publiku zviceran ftohet të zbulojë larminë e përvojave që ofron Shqipëria, nga bregdeti dhe natyra, te qytetet historike dhe traditat vendase.
Kjo vëmendje mediatike kontribuon në njohjen më të gjerë të potencialit turistik të Shqipërisë dhe në promovimin e saj pranë publikut zviceran.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër falënderon “Blick” për hapësirën e kushtuar Shqipërisë dhe për kontributin në promovimin e bukurive dhe pasurive të saj turistike.



