Të martën në ambientet e EHL në Lozanë, një prej institucioneve arsimore më prestigjioze në botë në fushën e hotelerisë dhe turizmit, Shqipëria u prezantua përmes shijeve, mikpritjes dhe identitetit të saj kulturor.
Aktiviteti, i organizuar nga AlbChef dhe GIZ Albania, në bashkëpunim me Ambasadën e RSH-së, Ambasadën e RKS-së në Bernë dhe EHL, mblodhi së bashku Ambasadorë, profesionistë të gastronomisë, akademikë dhe miq të Shqipërisë në Zvicër.
Mbrëmja nisi me degustimin e verërave shqiptare nga Kantinat Caco dhe Balaj, ndërsa gjatë darkës të ftuarit patën mundësinë të shijonin edhe verën Menea, duke zbuluar kështu një pjesë të traditës dhe cilësisë së verarisë shqiptare.
Një moment i veçantë i kësaj mbrëmjeje ishte diskutimi mbi turizmin e qëndrueshëm dhe rëndësinë e ruajtjes së biodiversitetit, kulturës dhe autenticitetit lokal, si elementë kyç për zhvillimin e ardhshëm të turizmit shqiptar.
Përvoja kulinare shqiptare u soll me mjeshtëri nga shefat e AlbChef, ndërsa një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij aktiviteti pati edhe z. Ismail Ademi , përfaqësues dhe iniciator i AlbChef, falë vizionit dhe angazhimit të tij për promovimin ndërkombëtar të gastronomisë shqiptare.
Në fjalën e tij, Ambasadori Ermal Dredha theksoi se gastronomia shqiptare është shumë më tepër sesa ushqim, ajo është kulturë, identitet dhe një formë moderne e diplomacisë kulturore që afron njerëzit dhe promovon Shqipërinë në mënyrën më autentike.
Kjo mbrëmje në EHL përcolli një mesazh të qartë: Shqipëria ka sot jo vetëm bukuri natyrore dhe potencial turistik, por edhe një identitet kulinar e kulturor dinjitoz për t’u prezantuar në skenat më prestigjioze ndërkombëtare.



