Më 28 nëntor 2024, Ambasada e Shqipërisë në Turqi organizoi një pritje solemne në Ankara për të përkujtuar 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 80-vjetorin e Çlirimit nga pushtimi nazi-fashist. Në këtë ngjarje, Ambasadorja znj. Blerta Kadzadej theksoi rëndësinë historike të këtyre datave, që përfaqësojnë momente kyçe në historinë kombëtare dhe pasqyrojnë sakrificat e popullit shqiptar për liri dhe dinjitet.
Gjatë fjalës së saj, Ambasadorja nënvizoi rolin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë si një krenari kombëtare, të cilat përfaqësojnë angazhimin për siguri, liri dhe paqe në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përfshirë kontributin e rëndësishëm si aleate në NATO. Ajo foli gjithashtu për përpjekjet e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke ritheksuar synimin që vendi të bëhet anëtar me të drejta të plota deri në vitin 2030, mbështetur në reforma të rëndësishme dhe partneritete strategjike.
Ambasadorja vuri në dukje transformimin e jashtëzakonshëm të sektorit të turizmit në Shqipëri, duke përmendur faktin se mbi 10 milionë turistë kanë vizituar vendin gjatë vitit 2024, përfshirë 300,000 vizitorë nga Turqia. Ajo theksoi gjithashtu marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Turqisë, të cilat janë ndërtuar mbi lidhje të thella historike dhe një partneritet strategjik të qëndrueshëm. Vitin 2024, të karakterizuar nga vizita të nivelit të lartë dhe marrëveshje të reja dypalëshe, ajo e përshkroi si një vit shumë të suksesshëm për forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si ekonomia, tregtia, infrastruktura, arsimi dhe mbrojtja.
Në përmbyllje, Ambasadorja falënderoi popullin turk për mikpritjen dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme, si dhe përshëndeti bashkëatdhetarët me urimet më të ngrohta për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo e cilësoi këtë festë si një moment krenarie kombëtare dhe bashkimi për të gjithë shqiptarët.
Newsroom
112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë ne Ankara