Ambasada e Shqipërisë në Ankara, pritje për Ditën e Pavarësisë

Ambasada e Shqipërisë në Ankara organizoi më 28 Nëntor një pritje me rastin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.Në pritjen e organizuar me rastin e “Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë” në Sheraton Hotel, nga ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Genti Gazheli, morën pjesë ministri turk i Bujqësisë dhe Pyjeve, Bekir Pakdemirli, Shefi i Shtabit Gjeneral Yaşar Güler, përfaqësues të misioneve dhe të ftuar të tjerë. Ambasadori Gazheli, në fjalën e tij, vuri në dukje se vizitat e ndërsjella të nivelit të lartë janë dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Turqisë dhe Shqipërisë.“Kultura jonë është e pashtershme, burim frymëzimi dhe nxitës çdo ditë e më shumë për këtë ambasadë. Edhe në këtë përvjetor të shtetit shqiptar energjia jonë si komb, më ka shoqëruar në çdo hap e në çdo veprimtari diplomatike dhe ndërpersonale. Fryma që më shtyn të veproj është pikërisht çështja e vyer e kombit tonë që meriton angazhim maksimal. Vendi ynë e meriton t’ì shërbehet me besnikëri të veçantë, jo vetëm sepse më në fund mund të paraqitemi kryelartë në të gjithë rajonin si partner i besueshëm diplomatik dhe shtet kompetent e demokratik, por, edhe sepse çdo mund i përbashkët na bën të denjë të përmbushim standardet europiane dhe të rritemi vazhdimisht nga ana ekonomike dhe sociale, pa harruar flijimet e baballarëve tanë që gjatë këtyre 106 viteve pavarësi kanë ndërtuar, mbrojtur dhe përmirësuar këtë komb. Plani i parë i kësaj ambasade është diplomacia ekonomike dhe të shumta vizitat e kryera në çdo cep të Turqisë për t’u njohur me praktikat pozitive të biznesit dhe për të shqyrtuar mundësitë e investimeve. Thithja e investitorëve të huaj është tashmë në rend ditor dhe kjo më bën të ndjehem krenar. Një arritje për t’u vënë në dukje është hapja e linjës ajrore shqiptare Air Albania në bashkëpunim me Turkish Airlines, ku më në fund edhe ne si shtet kemi mundësinë të vëmë vulën tonë në industrinë ajrore për të lehtësuar lëvizjet ndërkombëtare dhe të jemi konkurues në të njëjtën kohë. Marrëdhëniet e shkëlqyera midis Turqisë dhe Shqipërisë dëshmohen edhe nga vizitat dypalëshe të nivelit të lartë, si ajo e ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ku u nënvizua puna me cilësi, bashkëpunimeve dhe u themelua një komitet i këshillit të bashkëpunimit midis dy vendeve, gjithashtu u krijuan themelet për nënshkrimin e partneritetit strategjik të dy vendeve në fjalë”, u shpreh ai. Ambasadori vijoi duke theksuar se “nuk do të lodhem së nënvizuari se Turqia është partnere strategjike e Shqipërisë dhe qëllimi ynë është t’i forcojmë ende më shumë marrëdhëniet në fushën diplomatike, kulturore, por sidomos ekonomike. Ndoshta, pikërisht në këtë të fundit duhet bërë më tepër dhe kërkojmë prani dhe angazhim më të theksuar nga ana e Turqisë. Rrugëtimi i deritanishëm si shtet është për tu festuar çdo dite dhe në çdo cep të botës ku gjendet një shqiptar apo shqipfolës në rolin e tij si ambasador kulture, sociale apo tregtare. Kemi dhënë dhe japim kontributin tonë kudo, jemi dalluar dhe dallohemi për zell, krijimtari, kompetence dhe sinergji. Janë këta bashkëkombas – kartëvizita jonë më e mirë. Le të festojmë sot së bashku arritjet tona në krejt rajonin dhe të mos ndalemi së respektuari besën e dhënë nga prijësi jonë i parë largpamës Gjergj Kastriot Skënderbeu e ripërtërire në të gjitha kohërat, në të gjitha tryezat. Gëzuar 28 Nëntorin bashkëkombësit e mi” – përfundoi ambasadori! 
Ndërsa, ministri Pakdemirli nënvizoi lidhjet e forta të miqësisë të bazuara në historinë e përbashkët mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe theksoi se edhe lidhjet njerëzore janë elementi më aktual që lidh dy vendet me njëra tjetrën. Në Turqi janë me miliona qytetarët me origjinë shqiptare, tha Pakdemirli, duke shtuar se “shoqëria turke në Shqipëri dhe qytetarët me origjinë shqiptare në Turqi kanë funksionin e urës humanitare mes dy vendeve”.“Mes dy vendeve është forcuar edhe bashkëpunimi kulturor, ekonomik dhe politik”, tha Pakdemirli, duke shtuar se Turqia me projekte të ndryshme nëpërmjet institucioneve si TIKA dhe Qendrës Kulturore Yunus Emre ofron mbështetje për mbrojtjen dhe restaurimin e veprave historike të cilat vërtetojnë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
İlkbahar Mahallesi, Medeni Müdafi Sokak, No 35,
Çankaya, Ankara

Tel / Fax

Tel. +90312 4416103
Fax.+ 90312 4416109
Nr. i emergjences :+90 544 962 26 17

E-MAIL

embassy.ankara@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00