Shqipëria shënon një tjetër arritje të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore. Lahuta, instrumenti tradicional që shoqëron këngën epike shqiptare dhe bart kujtesën historike, identitetin dhe vlerat shpirtërore të komuniteteve, është pranuar zyrtarisht në listat e UNESCO.
Vendimi u mor më 9 dhjetor 2025, gjatë Sesionit të 20-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, të mbajtur në New Delhi, Indi, ku u miratua përfshirja e “Artit të të luajturit, të kënduarit dhe të punimit të Lahutës” në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Nevojë për Mbrojtje Urgjente.
Ky vendim njeh Lahutën si një shprehje të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore jomateriale, të transmetuar brez pas brezi dhe të rrënjosur thellë në jetën shoqërore dhe kulturore të komuniteteve shqiptare.
Pranimi i Lahutës përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar të rolit të saj në ruajtjen e kujtesës kolektive, forcimin e identitetit kulturor dhe nxitjen e dialogut ndërkulturor. Ai konfirmon gjithashtu përkushtimin e Shqipërisë për mbrojtjen, dokumentimin dhe transmetimin e trashëgimisë së gjallë kulturore.
Ky sukses është fryt i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore, studiuesve, bartësve të traditës, komuniteteve lokale dhe partnerëve kulturorë, të cilët kontribuuan në përgatitjen dhe mbështetjen e dosjes së nominimit.
Shqipëria do të vijojë angazhimin e saj për zbatimin e masave të ruajtjes, edukimit dhe promovimit të Lahutës, duke siguruar që kjo trashëgimi e çmuar të mbetet e gjallë dhe e transmetueshme për brezat e ardhshëm.



