Shqipëria u zgjodh më 17 qershor 2026 anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s për mandatin 2026–2030.
Ky rezultat përbën një njohje të rëndësishme të angazhimit afatgjatë të Shqipërisë në zbatimin e Konventës së UNESCO-s të vitit 2003 për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, si dhe të kontributit të saj aktiv në promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së gjallë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Shqipëria është krenare që një numër elementësh të trashëgimisë së saj kulturore jomateriale janë të regjistruar në listat e UNESCO-s, përfshirë Iso-Polifoninë Shqiptare, Xhubletën – dijet, mjeshtërinë dhe format e përdorimit të saj, K’cimin e Tropojës, si dhe Transhumancën – lëvizjen sezonale të bagëtive.
Anëtarësimi në Komitet i jep Shqipërisë mundësinë të kontribuojë drejtpërdrejt në zbatimin e Konventës së vitit 2003, në vlerësimin e dosjeve të kandidaturave dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale si burim identiteti, diversiteti kulturor, dialogu dhe zhvillimi të qëndrueshëm.



