Ministrja e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, zhvilloi një vizitë pune në selinë e UNESCO në Paris, ku mori pjesë në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare dhe zhvilloi takime të nivelit të lartë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit.
Gjatë vizitës, Ministrja mori pjesë në takimin vjetor të Global Education Coalition dhe në prezantimin e Global Education Monitoring (GEM) Report 2026, ku ndau përvojën e Shqipërisë në transformimin digjital të arsimit dhe në zhvillimin e politikave që synojnë një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Në ndërhyrjet e saj, ajo theksoi rolin kyç të mësuesit në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe nevojën për të krijuar alternativa edukative për të rinjtë në një realitet gjithnjë e më digjital.
Ministrja Kumbaro ishte gjithashtu e ftuar në një panel të nivelit të lartë, ku prezantoi qasjen e Shqipërisë për lidhjen e arsimit me kulturën dhe zhvillimin ekonomik, duke nënvizuar rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor dhe në inovacion.
Ministrja zhvilloi një takim dypalësh me Drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO, Khaled Ahmed El-Enany, si dhe me Zëvendësdrejtoreshën e Përgjithshme për Arsimin, Stefania Giannini. Diskutimet u përqendruan në reformat në arsimin e lartë, forcimin e kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare.
Gjatë vizitës, Ministrja zhvilloi gjithashtu takime me homologë dhe kolegë ministra, përfshirë ministrin italian të arsimit, duke shkëmbyer përvoja dhe duke eksploruar mundësi bashkëpunimi në nivel dypalësh dhe shumëpalësh.
Vizita konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qenë një partner aktiv në iniciativat globale të UNESCO-s dhe për të avancuar më tej bashkëpunimin në funksion të një arsimi cilësor dhe të qëndrueshëm.



