Si dituri që trajton rrjedhën e njerëzimit apo jetën e një populli a veprimtarinë e një personaliteti historik, historiografia shqiptare është një ndër historiografitë më të vjetra të Evropës Juglindore. Ajo fillon në shek. XV. Mund të thuhet se Herodoti i saj është Anonimi Tivaras, autori i një vepre (e cila është vënë në dyshim) kushtuar historisë së Skënderbeut, botuar në Venedik më 1480. Atë e pasuan dy pena erudite, Martin Segoni dhe Marin Beçikemi. Megjithatë, vendin e nderit në historiografinë shqiptare të hershme e zë bashkëkohëtari i tyre, humanisti shkodran Marin Barleti, me dy veprat e veta monumentale, nga të cilat, njëra (botuar më 1504) trajton rrethimin e Shkodrës nga ushtritë osmane më 1478, kurse tjetra (botuar midis viteve 1508–1510 në Romë) trajton jetën dhe veprat e Skënderbeut. Si gjithë kolegët e vet mesjetarë, edhe Barleti i takon historiografisë tregimtare dhe panegjirike, madje nga kjo pikëpamje, ai e tejkalon paraardhësin e vet, Anonimin Tivaras, i cili përpiqet deri diku të jetë kritik. Rrethi i historianëve mesjetarë shqiptarë, shtohet edhe me dy bashkatdhetarë të tjerë të Barletit: Gjon Muzaka, bashkëkohëtar i Skënderbeut, autori i “Përkujtesës mbi Derën e Muzakëve”, pararendësi i historiografisë memorialistike në shkallë evropiane, dhe Dhimitër Frangu, edhe ky një bashkëkohëtar i Skënderbeut, vepra e të cilit, kushtuar Heroit, e botuar pas vdekjes së autorit më 1539, vjen e dyta, për nga ribotimet që pati, pas asaj të Marin Barletit.
Me Dhimitër Frangun mund të thuhet se merr fund historiografia shqiptare mesjetare me karakter tregimtar dhe panegjirik. Pas tij, vjen një heshtje e gjatë, e shkaktuar kjo nga asfiksia intelektuale që pësoi Shqipëria nën sundimin feudal-ushtarak osman. Heshtjen e prishi, gati njëqind vjet më vonë, prelati shqiptar nga Zadrima, F. Bardhi, i cili botoi në Venedik, më 1636, një traktat latinisht mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Ashtu si dhe paraardhësit e vet, Frang Bardhi formimin intelektual e mori në Itali, por ndryshe prej tyre, ai jetoi në Shqipëri. Frang Bardhi ka meritën se na dha të parën përpjekje studimore për të provuar me burime dokumentare shqiptarësinë e Skënderbeut, të cilën e kishte mohuar një prelat serb. Me traktatin e tij Frang Bardhi paralajmëronte fillimin e një periudhe të re në këtë fushë të rëndësishme të kulturës shqiptare – fillimin e historiografisë studimore në Shqipëri.
Historiografia shqiptare (deri atëherë e trajtuar në latinisht dhe italisht), filloi të rilindë në çerekun e fundit të shek. XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare, tani në pjesën më të madhe në gjuhën shqipe. Penën e historiografisë tani e morën në dorë rilindësit iluministë, të cilët e shfrytëzuan historinë shqiptare të së kaluarës për të ushqyer Lëvizjen Kombëtare për çlirimin e atdheut nga robëria e huaj dhe për formimin e shtetit shqiptar të pavarur. Sprovën e parë e bëri Pashko Vasa me traktatin e vet historiko-politik “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët”, botuar më 1879 në frëngjisht. Pas tij Sami Frashëri botoi një sintezë të shkurtër të historisë së popullit shqiptar në turqisht, në vëllimin e parë të veprës së tij madhore “Kamus’ul alam”, më 1892. Por prodhimin e tij më të rëndësishëm ai e dha me traktatin historiko-politik “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, ç’do të bëhet?” në gjuhën shqipe, i cili u përdor nga mbarë opinioni i vendit si manifest i lëvizjes kombëtare shqiptare.
Botimi i teksteve të para të mirëfillta historike shqip mbi historinë e Shqipërisë filloi në fund të shek. XIX. Ashtu si dhe punimet e tjera të periudhës rilindëse, ato qenë tekste modeste, të hartuara për nevojat e shkollës shqipe dhe të edukimit atdhetar, të cilat meritojnë të përmenden si tekste të para historiografike, pavarësisht nga vlera e tyre shkencore. Serinë e teksteve shqipe e filloi Stefë Curani, me librin “Të ndodhunat e Shqypnis”, botuar me pseudonimin “Nji Gegë qi don vendin e vet” (1898), e cila është kryesisht një përshtatje e mbështetur në ligjëratat e L. Taloçit. Një vit më vonë, Naim Frashëri botoi broshurën për shkollat shqipe me titull “Historia e Shqipërisë” (1899). Më tej, në fillim të shek. XX, Dom Ndoc Nikaj, botoi në Bruksel “Historia e Shqypnis”, të cilën e ribotoi të rishikuar në Shkodër më 1917.
Pas këtyre hapave të parë modestë, sprovat e mirëfillta studimore për historinë e Shqipërisë u ndërmorën dhe u botuan pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, sidomos pas Luftës I Botërore. Shumica e teksteve të botuara gjatë Luftës I Botërore dhe për disa vite pas saj trajtonin tema të lidhura ngushtë me çështjen kombëtare shqiptare, e cila ndodhej për shqyrtim në tryezën e diplomacisë së madhe evropiane. Më i begatshmi prej tyre ishte Mithat Frashëri, i cili u përqendrua në argumentimin e tërësisë së trojeve etnike shqiptare, kryesisht mbi shqiptarësinë e Kosovës dhe të të ashtuquajturit Epir, kurse Mehmet Konica theksoi rëndësinë e çështjes kombëtare në kuadrin e diplomacisë ndërkombëtare të Evropës Juglindore. Me çështjen kombëtare shqiptare janë të lidhura edhe dy traktate: “Shqipëria. E kaluara dhe e tashmja” i K. Çekrezit dhe “Shqipëria, çelësi kryesor i Lindjes së Afërme” i K. Dakos, të botuara në SHBA pikërisht gjatë zhvillimit të Konferencës së Paqes në Paris (1919).
Vetëm pasi mori fund çështja diplomatike shqiptare, krahas jetës së rregullt të shtetit shqiptar, nisi jetën e saj të rregullt, në kuptimin shkencor, edhe historiografia shqiptare. Megjithatë, nga mungesa e përkrahjes shtetërore dhe e institucioneve shkencore. Historiografia shqiptare u zhvillua me hapa tepër të ngadaltë. Nga periudha e Lashtësisë nuk u trajtua asnjë temë; po ashtu dhe me Mesjetën nuk u mor askush, me përjashtim të periudhës së Skënderbeut. Tre studiues shqiptarë kanë meritën se e trajtuan në një dritë të re epopenë shqiptare të shek. XV. Njëri prej tyre, Fan Noli, vuri në dukje, më 1921, me një argumentim të pasur shkencor, karakterin patriotik të luftës skënderbegiane. Pas tij, Xhevat Korça, argumentoi më 1923, personalitetin e pavarur si burrë shteti të Skënderbeut. Athanas Gegaj i dha më 1937, Skënderbeut, vendin e duhur si një aleat dhe jo (siç cilësohej nga ndonjë autor i huaj), vasal i mbretit të Napolit.
Temë tjetër që tërhoqi vëmendjen e studiuesve gjatë periudhës midis dy luftërave botërore ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878–1881), të cilën Kristo Dako, Mithat Frashëri, Mehdi Frashëri dhe Xhafer Belegu e konsideruan njëzëri si shfaqjen e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Secili prej tyre shpalli bindjen e vet se Lidhja e Prizrenit lindi nga vrulli patriotik i Shqiptarëve për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe jo sikurse pretendonin disa historianë të huaj, për interesat perandorake të Portës së Lartë. Historianët shqiptarë të Paraluftës e vlerësuan (ndonëse vetëm në fushën e publicistikës) shpalljen e Pavarësisë Kombëtare nga Kuvendi i Vlorës më 28 Nëntor 1912 si një fitore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe jo si një pjellë të diplomacisë evropiane, siç kanë pretenduar disa publicistë tendenciozë të huaj. Lëvizja e viteve 1914–1915 apo, siç quhet ndryshe, Kryengritja e Haxhi Qamilit, u cilësua nga të gjithë si një atentat që i bëhej shtetit të ri shqiptar nga proselitët xhonturkistë, që nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane. Ndërkohë filloi edhe interesimi për botimin e burimeve dokumentare që ndriçojnë historinë e Shqipërisë. Hapin e parë e hodhi Lef Nosi me organin mujor me titull “Dokumente historike për t’i shërbye historisë tonë kombëtare” (Elbasan, mars 1924 – shkurt 1925), në të cilin u botuan dokumente kryesisht shqiptare të ngjarjeve që ndodhën në Shqipëri gjatë dhjetëvjeçarit të dytë të shek. XX. Dokumente me rëndësi për historinë mesjetare dhe moderne të Shqipërisë u përfshinë edhe në dy organet kulturore “Hylli i Dritës” dhe “Leka” , që botoheshin në Shkodër deri në vitin 1944.
Fundi i Luftës II Botërore e gjeti Shqipërinë me një historiografi, ndonëse shekullore nga mosha, tepër të varfër nga prodhimtaria. Kjo varfëri, e cila shtrihej në të gjitha fushat e shkencës, kulturës, artit, teknikës, nuk pajtohej me kërkesat që shtronte para vendit vetë koha, për të hyrë në rrugën e përparimit dhe për të kapërcyer sa më parë prapambetjen e trashëguar. Nuk ka dyshim se në mbarim të Luftës kërkesa për zhvillimin e shpejtë të kulturës dhe të shkencës ishte në përpjesëtim të zhdrejtë me forcat e pakta intelektuale, me mungesën e përvojës shkencore, me varfërinë e fondeve bibliotekare dhe me mungesën e institucioneve arkivore. Përvoja e paraluftës tregoi se këto vështirësi nuk mund të kapërceheshin pa interesimin e shtetit shqiptar. Shteti komunist dhe udhëheqja e tij në Shqipërinë e pasluftës, pavarësisht nga motivet që i shtynin, i kushtuan kujdes lëvrimit të veprimtarisë kërkimore, përfshirë këtu edhe zhvillimin e historiografikës shqiptare. Dora-dorës me pasurimin e bibliotekave e të arkivave, u kalua në ngritjen e institucioneve studimore historiografike shqiptare, në të cilat së bashku me kuadrot e vjetër që kishin ardhur nga shkollat e paraluftës, u inkuadruan edhe kuadrot e rinj që u formuan pas Luftës në universitetet e vendeve socialiste dhe në shkollat e larta të vendit. Më 1947 u ngrit Instituti i Shkencave, me një seksion të veçantë për historinë; më 1955 u ngrit Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë; dy vjet më vonë u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës me Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë; më 1972 u ngrit Akademia e Shkencave, ku u përfshinë edhe një varg institutesh të fushës së albanologjisë, ndër ta dhe Instituti i Historisë e Instituti i Arkeologjisë. Veç kësaj, me lëvrimin e historisë së Shqipërisë u morën edhe disa institucione të krijuara jashtë sistemit të Akademisë së Shkencave, siç ishin katedrat e historisë të Universiteteve (Tiranë, Shkodër). Për studimin e Luftës ANÇ dhe për të ashtuquajturën “epokë të ndërtimit të socializmit” në Shqipëri, u ngritën edhe institucione të posaçme, si Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, Akademia Ushtarake e RSH, Shkolla e Lartë e PPSH etj.
Pavarësisht nga synimet partiake e motivet ideologjike dhe nga trysnia për të zbatuar (jo rrallë në mënyrë skematike e vulgare) metodën e materializmit historik në trajtimin e historisë, duke filluar nga mesi i viteve ’50 të shek. XX e deri në vitet ’90, shteti komunist ndihmoi materialisht dhe organizativisht për zhvillimin e historiografikës shqiptare. Një nga format e reja të shfaqjes publike të historiografikës shqiptare. ishte organizimi i takimeve shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Në nëntor të vitit 1952 u organizua nga Instituti i Shkencave Konferenca kombëtare me temë “Formimi i kombit shqiptar dhe fillimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”. Në vitet 1954–1958 u zhvilluan disa veprimtari shkencore, si: Sesioni shkencor kushtuar 400-vjetorit të botimit të “Mesharit” të Gjon Buzukut (1955) dhe sesionet shkencore ku u trajtuan probleme më konkrete, siç ishin çështjet përkitazi me periodizimin e Historisë së Shqipërisë (1954), me tiparet e rendit feudal në Shqipëri (1956), me fillimet e kapitalizmit në viset shqiptare (1958). Një ngjarje e veçantë shkencore ishte Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike (ndërkombëtare), që u mbajt me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë (nëntor 1962), në të cilën u trajtuan në tërësi dhe në thellësi një gamë e gjerë temash të albanologjisë. Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike, që u mbajt në Tiranë, në janar 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, u karakterizua nga përpjekja për një trajtim të thelluar të një rrethi të gjerë problemesh. Ndër takimet e tjera shkencore me karakter ndërkombëtar, të cilat u zhvilluan më vonë në Tiranë, janë: Kuvendet e studimeve ilire (1972, 1985 – shih), Konferenca e studimeve etnografike (1974), Konferenca mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit me rastin e 100 vjetorit të themelimit të saj (1978), Konferenca kushtuar Pjetër Bogdanit (1989), Konferenca kushtuar shtetit të parë shqiptar, Principatës së Arbërisë (1990) etj.
Midis punimeve që u realizuan gjatë dekadave të kaluara, vend të veçantë zë “Historia e Shqipërisë” në dy vëllime. Kjo është e para vepër shkencore, që e trajton historinë e Shqipërisë në mënyrë të plotë nga pikëpamja kronologjike, që nga kohët parahistorike deri në ditët tona, dhe në mënyrë të gjithanshme, nga pikëpamja tematike si histori politike, ekonomike, shoqërore, diplomatike, kulturore dhe artistike. Por kërkimi shkencor në fushën e historisë dhe trajtimi i ngjarjeve historike u dëmtua ndjeshëm nga skemat ideologjike dhe nga censura që imponoi PPSH me aparatin e saj.
Por me gjithë trysninë ideologjike që ushtroi superstruktura, nuk mund të mohohet fakti se gjatë dekadave të sistemit komunist u arritën në fushën e historiografisë suksese të rëndësishme, të pakrahasueshme, si nga sasia ashtu dhe nga cilësia me rezultatet e mëparshme. Këto suksese shtrihen në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë. Suksese tepër të rëndësishme u arritën në fushat e kërkimeve arkeologjike, në studimin e parahistorisë dhe në ndriçimin e qytetërimit ilir, historia e të cilëve para Luftës II Botërore, ka qenë e mbuluar me mjegull. Njoftimet e pakta që diheshin, nxirreshin nga disa trajtesa historianësh të huaj dhe nga burimet e autorëve antikë. Falë kërkimeve arkeologjike, të cilat u shtrinë në mbarë vendin dhe orientimit për t’i dhënë përparësi zbulimit të vendbanimeve ilire, u arrit të ndriçohet, pa mohuar të dhënat e burimeve të shkruara antike, historia e Ilirëve që nga etnogjeneza e tyre deri në pragun e Mesjetës së hershme.
Trajtesat e përmendura të viteve ‘20–’30 kushtuar periudhës së Skënderbeut me përmbajtjen e tyre dinjitoze i dhanë një shtytje të mëtejshme thellimit të studimeve skënderbegiane në periudhën e Pasluftës. Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut (Tiranë, janar 1968), tregoi se historiografika shqiptare tashmë ishte në gjendje të thoshte (përballë historiografisë evropiane), fjalën e vet dinjitoze mbi proceset dhe ngjarjet që tronditën Shqipërinë dhe Ballkanin gjatë shekullit XV.
Shekujt e parë të sundimit osman në Shqipëri qenë, nga pikëpamja historike, tepër të errët, aq sa në tekstet e dikurshme kalohej nga vdekja e Skënderbeut, pra nga çereku i tretë i shekullit XV, drejt te Kara Mahmud Bushatlliu dhe te Ali Pashë Tepelelena, pra në çerekun e tretë të shek. XVIII.
Për sa i përket Rilindjes Kombëtare, autorët shqiptarë të Paraluftës kishin një dije mjegullore për fillimet, për karakterin, dinamikën dhe përmasat e saj. Ata e konsideruan Lidhjen e Prizrenit si shfaqjen e parë dhe në të njëjtën kohë si shfaqjen më madhore të Rilindjes. Historianët e Pasluftës, i bënë një trajtim të ndryshëm, si nga ana faktologjike, ashtu dhe nga ana metodologjike, kësaj periudhe të historisë së Shqipërisë. Sipas tyre Rilindja Kombëtare Shqiptare, nuk ishte vetëm një lëvizje letrare, por një lëvizje kombëtare çlirimtare, demokratike dhe iluministe, ashtu siç ishin lëvizjet çlirimtare të popujve ballkanas, pra një lëvizje, e cila synonte, njësoj si ato, të çlironte vendin nga zgjedha shekullore osmane dhe të formonte shtetin e pavarur kombëtar. Në studimet e reja u pohua se Rilindja Kombëtare Shqiptare nuk filloi me Lidhjen e Prizrenit, por disa dekada më parë, në çerekun e dytë të shek. XIX, kur kryengritjet kundërosmane u shkrinë me kërkesat kulturore dhe me idetë iluministe, të cilat i gjejmë të shprehura në mënyrë të qartë te Naum Veqilharxhi. Historianët shqiptarë të këtyre dekadave, ndryshe nga kolegët e tyre të Paraluftës, panë te Lidhja e Prizrenit jo vetëm luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Atdheut, por edhe luftën e saj për të drejtat autonomiste të Shqipërisë.
Përveç trajtesave të mirëfillta shkencore, gjatë dekadave të sistemit komunist, historiografika shqiptare u pasurua edhe me botime dokumentesh historike përkitazi me të kaluarën e Shqipërisë.
Studimet mbi historinë e Shqipërisë pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, që u ndërmorën nga historianë shqiptarë gjatë sistemit komunist, nuk janë të pakta. Ndonëse në mjaft nga këto punime ndihet presioni i ideologjisë partiake, megjithatë, ka një varg trajtesash me vlera të mirëfillta shkencore. Të tilla janë, për shembull, ato që trajtojnë Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare (1912), çështjen shqiptare në Konferencën e Londrës (1913), Republikën Autonome të Korçës (1916–1917), çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes (1919–1920), Kongresin Kombëtar të Lushnjës (1920), Luftën çlirimtare të Vlorës (1920), lëvizjen demokratike të viteve ’20, Revolucionin Demokratik të Qershorit (1924), aspekte të jetës ekonomiko-shoqërore të vendit dhe tema të ndryshme nga periudha e monarkisë së A. Zogut.
Në vitet ‘70 në Shqipëri filloi t’i kushtohet vëmendje e posaçme historisë së sotme të Kosovës, periudhës pas shkëputjes së saj dhe të trevave të tjera shqiptare nga Shqipëria sipas vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit1913 e deri në ditët tona. Në Institutin e Historisë u ngrit një sektor i posaçëm i historisë së sotme të Kosovës. U trajtuan me studime monografike dhe me një varg artikujsh, ngjarje e figura të lëvizjes kombëtare në trevat e Kosovës dhe në viset shqiptare të Maqedonisë së sotme, qëndresa e armatosur e popullsisë shqiptare në këto treva kundër pushtimit serbo-malazez gjatë luftërave ballkanike, Luftës I Botërore e pas saj, politika kolonizuese dhe shkombëtarizuese e qeverisë së Beogradit ndaj Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare, aspekte të historisë së Luftës ANÇ në Kosovë e në Maqedoni, gjendja e popullsisë shqiptare në këto treva në periudhën e pasluftës, lufta për vetëvendosjen dhe pavarësinë e Kosovës etj.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, mori hov studimi i historisë, sidomos pas përgatitjes së kuadrove të rinj, në mënyrë të veçantë pas hapjes së Institutit Albanologjik dhe Universitetit të Prishtinës, Institutit të Historisë, Arkivit të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ndër temat e trajtuara prej tyre spikatin ato që i përkasin historisë së Kosovës gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në shekujt e lashtësisë, gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, gjatë Luftës II Botërore dhe pas saj. Historiografia nisi të lëvrohet edhe nga studiues shqiptarë në Maqedoni, sidomos me themelimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Historianët shqiptarë të Kosovës e të Maqedonisë kanë trajtuar në mënyrë të veçantë qëndresën e shqiptarëve kundër politikës diskriminuese e shtypëse të qarqeve shoviniste jugosllave, luftën e tyre për të drejta kombëtare, autoktoninë e shqiptarëve në Kosovë e në Maqedoni, zhvillimet sociale, kulturore e ekonomike në këto territore, aspektet ndërkombëtare të çështjes shqiptare etj.
Në vitet ‘90 në Shqipëri, me vendosjen e pluralizmit politik, historianët, të çliruar nga trysnia ideologjike e politike e PPSH, filluan të parashtronin lirisht pikëpamjet e tezat e veta shkencore për problemet e historisë së Shqipërisë. Në historiografikën shqiptare filloi kthesa për një trajtim objektiv të historisë së popullit shqiptar, jashtë dogmave të imponuara marksiste dhe të çliruar nga ideologjia partiake e regjimit komunist. Janë realizuar një varg monografish shkencore e artikujsh studimorë, ku janë bërë hapa të rëndësishëm për një trajtim objektiv shkencor të historisë së popullit shqiptar. Po me këtë synim dhe duke u mbështetur edhe në studime e dokumente të pashfrytëzuara më parë, Instituti i Historisë i ASHSH ndërmori botimin e veprës përgjithësuese “Historia e popullit shqiptar” në 4 vëllime. Autorët i kanë paraprirë këtij botimi me monografi e studime për periudha e probleme të veçanta.
Gjatë kësaj periudhe të tranzicionit janë organizuar gjithashtu nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës si edhe nga Instituti i Historisë në Tiranë dhe Instituti i Historisë në Prishtinë një varg konferencash shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, në të cilat janë bërë përpjekje pozitive për një trajtim të ri objektiv e të argumentuar të ngjarjeve dhe personaliteteve historike të së kaluarës, të problemeve e periudhave të tëra të historisë së popullit shqiptar.
Materialet janë pjesë e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar dhe subjekt i të drejtave të autorit, falenderojmë për kontributin Neritan Ceka, Zhaneta Andrea © Copyright Akademia e Shkencave të Shqipërisë