Nëse keni një urgjencë të mirëfilltë, si vdekje në familje apo keni ngelur në aeroport, dërgoni një e-mail tek zyra konsullore me fjalën “Urgjencë” në titull të emailit.
Nëse ju nevojitet një shërbim konsullor, konsultohuni fillimisht me seksionet përkatëse më poshtë, sidomos:
- Seksioni 5 – Shërbimet për Shtetasit Shqiptarë
5.1 Aplikimi për pasaportë ose kartë-ID
5.2 Leje Kalimi për udhëtim urgjente
5.3 Regjistrimi i fëmijës së lindur
5.4 Përkthime e noterizime
5.5 Posta
- Seksioni 2 – Për Vlefshmërinë e Pasaportave gjatë hyrjes apo daljes nga Shqipëria.
Zyrat konsullore janë zakonisht të hapura nga e hëna në të premte, 09:00-17:00, përveç ditëve të pushimit në Shqipëri. Shërbimi i pasaportave (për aplikim apo tërheqje) është nga e hëna në të enjte 09:00-15:00, dhe të premten 09:00-13:00.
Nëse pyetja juaj nuk ka lidhje me asnjë nga këto me lart, ju lutemi prisni përgjigje nga ekipi ynë.
————————————————
➤ SEKSIONI 1:
Udhëtimi drejt Shqipërisë – Regjimi i vizave
Shtetasit e huaj duhet të konsultojnë këto faqe:
· Për informacione të përgjithshme mbi përjashtimet dhe kategoritë e vizave:
https://punetejashtme.gov.al/en/regjimi-i-vizave-per-te-huajt/
· Për informacione të detajuara sipas shtetësisë dhe lejeve te qëndrimit që posedoni:
https://punetejashtme.gov.al/en/informacione-mbi-regjimin-e-vizave-te-shtetasve-te-huaj/
· Për aplikim për vizë: https://e-visa.al/
➤ SEKSIONI 2:
Vlefshmëria e Pasaportave
Kujdes gjatë sezonit të udhëtimeve dhe pushimeve!
· Për shtetasit me pasaportë shqiptare:
Nuk ka një afat minimal vlefshmërie që kërkohet me ligj për pasaportën në rast kthimi në Shqipëri. Ajo duhet të jetë e vlefshme në ditën e udhëtimit. (Megjithatë, kompanitë ajrore mund të refuzojnë bordin nëse pasaporta është shumë pranë skadimit ose e dëmtuar. Ju këshillojmë të kontaktoni kompaninë ajrore përpara udhëtimit.)
· Për shtetasit e huaj që NUK kanë nevojë për vizë:
Pasaporta duhet të jetë e vlefshme të paktën 3 muaj pas datës së largimit nga Shqipëria. Duhet të jetë e lëshuar brenda 10 viteve të fundit.
· Për shtetasit e huaj që KANË nevojë për vizë:
Pasaporta duhet të jetë e vlefshme të paktën 3 muaj më shumë sesa afati i vizës së kërkuar;
Duhet të ketë të paktën 2 faqe bosh;
Duhet të shoqërohet me fotokopje të faqeve me të dhëna të rëndësishme.
➤ SEKSIONI 3
Udhëtimi jashtë Shqipërisë për shtetasit shqiptarë
Për informacion mbi regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë:
https://punetejashtme.gov.al/regjimi-i-vizave-per-shtetasit-shqiptare-info/
➤ SEKSIONI 4
Investime dhe Turizëm në Shqipëri
· Turizëm: https://akt.gov.al/
· Investime:
o Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve: https://aida.gov.al/en/
o Korporata e Investimeve Shqiptare: https://www.aicorporation.al/en
➤ SEKSIONI 5:
Njoftim nga Zyra Konsullore: për çdo pyetje, mund të na shkruani tek: consular.london@mfa.gov.al
· Çmimet janë si më poshtë (Pagesat pranohen vetëm me kartë bankare):
Pasaportë: 130 pound-sterlina ; Kartë identiteti: 13 pound-sterlina ; Leje kalimi: 30 euro (konvertuar ne pound ne kursin e permuajshem konsullor)
Vetëdeklarim humbjeje dokumenti, çdo vërtetim tjetër: 30 euro
Prokura / deklarata noteriale: 20 euro
Përkthime (për faqe): 10 euro
Pagesat kryhen në sterlina-pound, duke përdorur kursin e këmbimit të përcaktuar nga Konsullata (bazuar në mesataren e muajit të kaluar).
Nëse nuk keni një kartë bankare për të kryer pagesa për shërbimet konsullore, ju mund ta bëni pagesën përmes kësaj faqeje (ju lutemi kontaktoni zyrën konsullore përpara se të bëni këtë pagesë): https://buy.stripe.com/7sI5om2Txa8S3v2aEK
KUJDES: Në Britani, jashtë Ambasadës së Shqipërisë, asnjë person apo agjenci NUK ka asnjë privilegj apo përparësi në proceset konsullore. Për ankesa, na shkruani: embassy.london@mfa.gov.al
5.1 Procedura për Aplikim për Kartë ID dhe Pasaportë
1. Regjistrohuni në e-Albania.al me numrin personal dhe datën e skadimit të kartës.
2. Hyni në e-Albania, dhe kërkoni shërbimin “Aplikim për kartë identiteti dhe pasaportë”.
3. Zgjidhni “HYR” dhe futni të dhënat.
4. Klikoni “Përdor”, më pas “Aplikim i ri”.
5. Plotësoni formularin dhe zgjidhni datën për takim në ambasadë.
6. Ruani numrin e aplikimit që do ju vijë në fund.
Ditën e takimit, paraqituni me dokumentet tuaja (të vlefshme ose të skaduara). Në mungesë të tyre, mund të bëni deklaratë humbjeje në ambasadë.
Koha e përpunimit: Rreth 4 javë (plus/minus disa ditë varësisht nga posta).
Nuk ofrohet shërbim i përshpejtuar në MB. Për udhëtime urgjente, aplikoni për Leje Kalimi.
5.2 Procedura për Aplikim për Leje Kalimi
1. Ose hapni platformen e-Albania (nuk kërkohet hyrje me llogari), ose kerkoni “Leje Kalimi” ne internet dhe klikoni faqen “Aplikim për leje kalimi (Laissez Passer)”
2. Kërkoni shërbimin “Aplikim për leje kalimi”
3. Klikoni “Përdor” dhe më pas “Aplikim i ri”
4. Plotësoni formularin online
Ngjisni ne formularin elektronik foton e tipit pasaportë (40x50mm, sfond i bardhë, fytyra e qartë) dhe një kopje të dokumentit të identitetit. Foton mund ta beni me telefon dhe, nese hasni veshtiresi ne formularin online, mund ta dërgoni me email: consular.london@mfa.gov.al
5.3 Regjistrimi i Fëmijëve të Lindur në Britani
Regjistrimi i fëmijëve të lindur në Britani ose Irlandë, ku njëri ose të dy prindërit janë shtetas të Republikës së Shqipërisë, kryhet në Shqipëri.
Pas plotësimit të dokumentacionit përkatës, regjistrimi në Shqipëri mund të kryhet ose nga prindi/prindërit personalisht, ose nga një i afërm, të cilit i lëshohet prokurë e posaçme (për më shumë informacion, shihni më poshtë), pranë zyrës lokale të gjendjes civile të prindit.
Në Shqipëri, për regjistrimin do të kërkohet certifikata britanike e lindjes së fëmijës, e pajisur me vulë apostile (në anglisht “Apostille”), e marrë nga Foreign Office. Kjo procedurë mund të kryhet përmes zyrave lokale të shërbimeve ligjore në Britani/Irlandë. Për më shumë informacion, shihni këtu: www.gov.uk/get-document-legalised
Certifikata e lindjes nuk ka nevojë të përkthehet.
Në rast se nuk mund të udhëtoni personalisht në Shqipëri, mund të lëshoni një prokurë të posaçme për një të afërm tuaj në Shqipëri, i cili mund të kryejë regjistrimin përkatës.
Aplikimi për prokurë kryhet në platformën e-Albania, duke zgjedhur opsionin “Prokurë e posaçme – shumës”. Të dy prindërit duhet të paraqiten personalisht në konsullatën tonë në Londër për nënshkrimin e dokumentit.
Pas përfundimit të regjistrimit në Shqipëri, fëmija mund të pajiset me pasaportë shqiptare.
Aplikimi kryhet online nga llogaria e prindit.
5.4 Përkthime dhe Noterizime Dokumentesh
· Ambasada e Shqipërisë kryen vetëm përkthimin e dokumenteve të lëshuara në Shqipëri (çertifikata, dëshmi penale etj), të apostiluara më parë.
· Për dokumente të tjera, përkthimi bëhet në Shqipëri nga përkthyes të licencuar dhe më pas vërtetohet në ambasadë.
5.5 Posta: Procedura për kërkesë dërgese postare
Në ndihmë të bashkatdhetarëve që jetojnë larg Londrës, dhe për shkak të numrit të lartë të gabimeve në adresa dhe keqkuptimeve, ju informojmë se Ambasada do të pranojë kërkesa për dërgesë postare vetëm nga aplikantët që plotësojnë kushtet e mëposhtme.
Posta bëhet ditën që do të jepni shenjat e gishtave, kur aplikantët sjellin ose dërgojnë në Konsullatë një zarf të parapaguar nga Royal Mail për shërbimin Special Delivery.
Këtë zarf mund ta dërgoni me postë në adresën e mëposhtme:
Zyra Konsullore – POSTA Pasaportë
(Shkruani EMRIN dhe MBIEMRIN tuaj)
Embassy of the Republic of Albania
📍 33 St. George’s Drive, London, UK, SW1V 4DG
⚠️ KUJDES: Zarfi duhet të jetë Royal Mail Special Delivery dhe i parapaguar mjaftueshëm për dërgimin e një pasaporte dhe/ose karte (në varësi të aplikimit tuaj). Këtë duhet ta sqaroni me punonjësin e postës.
Në zarf, ju lutem përfshini edhe një kopje të një fature që përmban adresën tuaj. Mbi këtë kopje, shkruani gjithashtu të dhënat tuaja (numrin e telefonit dhe adresën e emailit).
📧 Pasi ta postoni/dorëzoni këtë zarf, për siguri, ju lutem dërgoni edhe një email në adresën:
consular.london@mfa.gov.al
Në email, shkruani në titull: “POSTA-DOKUMENT”
dhe brenda në email:
“Sot, unë (Emër Mbiemër), dorëzova/postova zarfin për dërgimin e pasaportës, për të cilën kam dhënë shenjat e gishtave më datë (vendosni datën kur dhatë shenjat e gishtave dhe foton). E kuptoj që posta është përgjegjësi e imja dhe, nëse përfshihet edhe karta ID në zarf, ajo mbetet e paaktivizuar për shërbimet në Shqipëri.
Ju lutem ma dërgoni në këtë adresë:
(shkruani adresën tuaj)”
⚠️ Vini re: Shërbimi postar Royal Mail Special Delivery nuk ka lidhje me Ambasadën. Çdo vonesë apo dëmtim që mund t’i ndodhë pasaportës gjatë transportit është përgjegjësi e qytetarit dhe e shërbimit postar.


