KOMUNIKATË PËR SHTYP
Konferenca e 11-të e Shteteve Palë të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC CoSP11), e zhvilluar në Doha, miratoi me konsensus një rezolutë të rëndësishme për luftën kundër korrupsionit përmes rritjes së transparencës në financimin politik dhe zgjedhor. Rezoluta u bashkë-iniciua nga Shqipëria, Norvegjia, Gana dhe Mongolia dhe gëzoi mbështetje të gjerë ndër rajonale me 59 vende që e bashkë-sponsorizuan atë.
Rezoluta përbën një hap të rëndësishëm për vendosjen e transparencës së financimit politik në qendër të agjendës globale kundër korrupsionit. Për herë të parë që nga miratimi i UNCAC-it, shtetet palë ranë dakord mbi standarde minimale globale që synojnë të parandalojnë financimin anonim, të errët dhe të paligjshëm të partive politike, kandidatëve dhe fushatave zgjedhore.
Rezoluta u bën thirrje shteteve të forcojnë kuadrin ligjor dhe institucional për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie në financimin politik, përfshirë publikimin në kohë të informacionit mbi donacionet, donatorët dhe shpenzimet elektorale. Ajo inkurajon kufizimin ose ndalimin e burimeve të financimit me rrezik të lartë, përfshirë donacionet anonime, subjektet e huaja të kontrolluara ose kontraktorët e qeverisë, si dhe kërkon masa për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore gjatë proceseve zgjedhore. Rezoluta njeh gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së grave dhe rolin kyç të shoqërisë civile dhe vëzhguesve zgjedhorë në forcimin e transparencës.
Si bashkë-iniciuese e rezolutës, Shqipëria luajti një rol aktiv dhe konstruktiv gjatë gjithë procesit negociues, duke kontribuar në ndërtimin e konsensusit dhe në arritjen e një rezultati substancial dhe të orientuar drejt së ardhmes. Ky angazhim pasqyron vullnetin e qartë të Shqipërisë për të forcuar integritetin demokratik, për të mbrojtur proceset zgjedhore dhe për të adresuar korrupsionin në burim.
Miratimi i kësaj rezolute përbën një arritje të rëndësishme politike për Shqipërinë dhe forcon profilin e saj si një partner i besueshëm dhe aktiv në përpjekjet ndërkombëtare kundër korrupsionit. Ajo forcon gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për konsolidimin e integritetit dhe qeverisjes demokratike, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Rezoluta i jep një mandat të qartë sistemit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë UNODC-në, për të zhvilluar udhëzime dhe për të mbështetur shtetet në shndërrimin e këtyre angazhimeve në politika dhe praktika konkrete. Shqipëria shpreh gatishmërinë për të kontribuar në mënyrë aktive në ndjekjen dhe zbatimin e kësaj nisme të rëndësishme globale.



