Më datë 18 shtator 2016, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi një vizitw në Boston, gjatë së cilës ai zhvilloi dhe një bashkëbisedim me përfaqësues të Diasporës shqiptare në Boston, i organizuar në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministri Bushati vlerësoi kontributin e shqiptarëve në Amerikë dhe rolin që përfaqësuesit e komunitetit shqiptar kanë luajtur për çështje të karakterit kombëtar dhe për zhvillimin e Shqipërisë. "Themeluesit e shtetit modern shqiptar, ndër të cilët kishte dhe anëtarë të diasporës sonë në Boston, e dinin fare mirë se nuk mund të ruhej pavarësia pa zhvillim ekonomik" - nënvizoi Ministri Bushati.
Ai i njohu të pranishmit me investimet e kryera vitet e fundit për modernizimin e infrastrukturës konsullore dhe përdorimin e teknologjive të reja për të mundësuar ofrimin e shërbimeve online, në mënyrë transparente dhe të sigurt, siç është E-Konsullata, për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.
Ministri Bushati nënvizoi nevojën e institucioneve shqiptare për një partneritet të strukturuar me Diasporën dhe në këtë kontekst theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit po përgatit një strategji kombëtare me qëllim përfshirjen sa më efektive të diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit.
Zbatimi i kësaj strategjie do të diskutohet me përfaqësues nga diaspora shqiptare në të gjitha vendet e botës gjatë Samitit të parë të Diasporës që do të mbahet në Tiranë në nëntor të këtij viti.
Gjatë qëndrimit në Boston, Ministri Bushati vizitoi gjithashtu shkollën e gjuhës dhe trashëgimisë shqipe "BESA" e cila feston 10 vjetorin e krijimit të saj. Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, Ministri Bushati dorëzoi tekstet për mësimin e gjuhës shqipe dhe historisë së Shqipërisë, dhuratë e Qeverisë shqiptare për fëmijët në Diasporë.
Gjatë qëndrimit të tij, Ministri Bushati mori pjesë në meshën e komunitetit shqiptar në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, aty ku Fan Noli mbajti liturgjinë e parë hyjnore në gjuhën shqipe në historinë e Kishës Ortodokse më 22 mars 1908.
Në fund të ceremonisë, At Artur Liolin, i dorëzoi Ministrit Bushati vulën "Ex-Libris", me të cilën Faik Konica vuloste letrat dhe librat e tij, dhuratë e bibliotekës Fan Noli në Boston për Bibliotekën Kombëtare shqiptare.