Ministri Bushati zhvillon vizitë pune në Uashington DC

Në datat 20 – 22 mars 2017, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë dy-ditore në Uashington D.C., në kuadër të takimit të Koalicionit anti-ISIS, i organizuar nga Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson.
 
Në këtë kontekst, Ministri Bushati zhvilloi takime me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, si edhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Në takimin me Senatorin Chris Murphy, anëtar i Komisionit të posaçëm për Europën, bashkëbiseduesit u ndalën veçanërisht mbi zhvillimet e fundit në rajon, rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA, ecurinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, si dhe kursin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës në vendin tonë.
 
Në takimin me Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashme, Ed Royce, dhe Kongresmenin Eliot Engel, biseda u fokusua mbi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh në procesin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës në vendin tonë, veçanërisht për sa i përket zbatimit të reformës në drejtësi.
 
Duke u ndalur mbi rëndësinë e reformës në drejtësi, palët biseduan mbi efektet e saj transformuese, jo vetëm në jetën e përditshme të qytetarëve, por edhe nga pikëpamja e sigurisë, apo ajo e sundimit të së drejtës në ekonomi.
 
Vizita e Ministrit Bushati në Uashington u shënua nga ripërtëritja e grupit  mbështetës për çështjet shqiptare në Senatin amerikan (Senate Albanian Issues Caucus). Lajmi u bë i ditur në vazhdën e takimeve që Ministri Bushati pati me bashkëdrejtuesit e grupit, Senatorët Gary Peters nga Michigan dhe Joni Ernst nga Ajoua.
 
Sa i përket takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, biseda pati në fokus kontributet e Shqipërisë në kuadër të Aleancës, në përgjigje të sfidave në krahun lindor dhe jugor të saj,  situata e sigurisë në rajon, si dhe bashkërendimin e qëndrimeve të vendeve të Aleancës në prag të ministerialit të ardhshëm të NATO-s në muajin prill.
 
Ministri Bushati ritheksoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria në përmbushjen e angazhimeve të Samitit të Varshavës, përfshirë rritjen e buxhetit dhe shpenzimeve të mbrojtjes.
 
Sekretari Stoltenberg, nga ana e tij, vlerësoi rolin e Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, kontributin e shtuar të vendit tonë në operacionet dhe misionet e NATO-s, si dhe në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
 
Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishin zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, situata aktuale në Maqedoni dhe përfundimi i procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342
Numri i emergjencës: +1 347 241 4434

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al