Në datat 28 nëntor – 1 dhjetor 2017, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi vizitë pune në Uashington D.C gjatë së cilës mori pjesë, së bashku me homologë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një konferencë mbi bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë të organizuar në kuadër të Nismës Future Europe të Këshillit të Atlantikut.
Përgjatë 2 ditëve në Uashigton, Ministri Bushati zhvilloi takime intensive në Departamentin Amerikan të Shtetit, me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, me senatorë dhe kongresmenë, si edhe një takim me Dhomat e Tregtisë amerikane ku prezantoi mundësitë për të investuar në Shqipëri dhe thelluar më tej bashkëpunimin ekonomik.
Gjatë takimit me Këshilltarin e Presidentit amerikan për Çështjet e Sigurisë, Gjeneralin McMaster, Ministri Bushati vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes të dy vendeve dhe falënderoi përfaqësuesin e lartë amerikan për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në ngritjen e kapaciteteve ushtarake në fushën e mbrojtjes si dhe asistencën për institucionet ligjzbatuese shqiptare në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ai rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar mbështetjen e iniciativës së Presidentit Trump për një luftë frontale kundër terrorizmit, në kuadër të Koalicioni Global si dhe për angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar aktivisht në operacionet paqeruajtëse të Aleancës Atlantike në zonat konfliktuale.
Ministri Bushati nënvizoi rëndësinë që qeveria shqiptare i jep punës dhe bashkëpunimit me komunitetet fetare për shkurajimin e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm.
Më tej, ai kërkoi një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuar të Amerikës për të siguruar një përqasje gjithëpërfshirëse të strukturave të sigurisë në rajon dhe reduktuar influencën e aktorëve të tretë si e vetmja mundësi për të garantuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.
Gjenerali McMaster vlerësoi kontributin e Shqipërisë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm e radikalizmit dhe pozicionimin e saj të qartë në funksion të stabilitetit demokratik në rajon.
Gjatë kësaj vizite Bushati, zhvilloi një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit, me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Azinë, Wess Mitchell.
Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehën angazhimin për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Ndihmës Sekretari Mitchell, vlerësoi kontributin e Shqipërisë në NATO dhe në koalicionin për fitoren mbi ISIS si dhe në promovimin dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon. Ai përgëzoi Qeverinë Shqiptare për përpjekjet e saj në zbatimin e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Ministri Bushati, duke shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA, falënderoi Ndihmës Sekretarin Mitchell për kontributin e Administratës Amerikane, për zhvillimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA-së.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, gjatë qëndrimit të tij në SHBA, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada Shqiptare me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit. Këtë vit pritja u zhvillua në Librarinë e Kongresit Amerikan ku morën pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli, Zv. Asistenti i Sekretarit Amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee, Senatori Gary Peters dhe Kongresmeni Eliot Engel, bashkë drejtues të grupit të miqësisë Shqipëri-SHBA, ish-ambasadorë amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri dhe bashkatdhetarë të shumtë,
Në fjalën e tij, Ministri Bushati vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik mes dy vendeve, të mbështetura në interesa të përbashkëta dhe këndshikime të njëjta sa i përket sigurisë në Evropë dhe komunitetin transatlantik, por edhe në vlera dhe kredo të përbashkëta. “Edhe pse një vend i vogël, Shqipëria qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Historia jonë e veçantë e tolerancës fetare është një aset special të cilin e kemi vendosur në shërbim të parandalimit të këtyre fenomeneve dhe kërcënimeve globale” – nënvizoi Ministri Bushati.
Zv. Asistenti i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Lee përcolli urimet më të mira për popullin shqiptar në emër të qeverisë dhe popullit amerikan. “Kjo është sigurisht një ditë për t’u festuar – u shpreh ai. 105 vjet Pavarësi, por edhe një çerek shekulli bashkëpunim i suksesshëm dhe i frytshëm mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, një miqësi dinamike dhe çdo ditë më e përforcuar mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Sot festojmë gjithashtu edhe progresin tuaj drejt integrimit evropian, ku mezi presim t’ju shohim anëtar. Ju jeni në NATO, e në të njëjtën kohë jeni një shembull për rajonin duke parë përpara dhe jo pas dhe duke ndërtuar një të ardhme dhe mundësi të reja për të rinjtë tuaj”.
Senatori Peters u ndal në marrëdhënien shumë të rëndësishme mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, në funksion të së cilës është ngritur dhe grupi mbështetës i miqësisë Shqipëri - SHBA në Senatin amerikan, për ta përforcuar dhe përmirësuar më tej atë. Ai falënderoi shqiptarët kudo në botë për mbështetjen që i bëjnë kauzës së lirisë. Nga ana e tij, Kongresmeni Engel vuri në pah miqësinë e veçantë që shqiptarët kanë për popullin amerikan, “të cilën nuk e gjen askund tjetër në botë” – theksoi ai. Ai vlerësoi edhe kontributin që Diaspora shqiptare në SHBA ka dhënë në kulturën amerikane.
Në Librarinë e Kongresit, me mbështetjen e MEPJ dhe në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Shtetit, u ekspozuan online Kodikët e Purpurt të Beratit, të cilët janë tashmë pjesë e Librarisë Botërore Dixhitale.