Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvillon vizitë pune në Uashington DC

Në datat 24 – 26 shkurt 2016 Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati Zhvilloi një vizitë pune në Uashington DC. Kjo vizitë vjen në një moment kur të dy vendet tona, partnere strategjike, ndajnë një agjendë intensive të bashkëpunimit në planin dypalësh, rajonal dhe atë ndërkombëtar. Në kuadër të kësaj vizite Ministri Bushati zhvilloi një takimin në Këshillin e Sigurisë Kombëtar me Zv/këshilltaren e Këshillit Kombëtar Avril Haines. Ministri Bushati u prit gjithashtu në takim në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland. Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në kuadër të partneritetit strategjik, zhvillimet më të fundit dhe mjedisin e sigurisë në rajon. Bashkëbiseduesit biseduan lidhur me thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm, si pjesë e koalicionit global kundër ISIS. Ministri Bushati u ndal në masat e marra nga Shqipëria për forcimin e kuadrit ligjor, zbatimin e strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm, si dhe për bashkëpunimin rajonal në këtë fushe. Znj. Haines vleresoi angazhimin e Shqipërisë dhe rezultatet konkrete në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm si dhe çmoj kontributin e saj si anëtar i NATO-s.
Intensifikimi i bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rakordimi i bashkëveprimit për sfidat me të cilat përballet sot komuniteti ndërkombëtar, siguria energjetike, situata dhe perspektiva e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ishin disa nga çështjet e trajtuara gjatë takimit. Bashkëbiseduesit u ndalën tek kalendari i marrëdhënieve dypalëshe, i cili këtë vit përkon me 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, në prag të 1-vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik, dhe në vijim të vizitës tejet të rëndësishme të Sekretarit të Shtetit John Kerry në Tiranë. 
Ministri Bushati e njohu znj. Nuland mbi zhvillimet më të fundit në vend, ecurinë e reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbylljen e  reformës në drejtësi, si një reformë me efekt të drejtpërdrejtë në forcimin e shtetit ligjor, përmirësimin e klimës së biznesit dhe sundimit të së drejtës në ekonomi. Ai e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë dhe vijojnë t’i japin Shqipërisë në proceset demokratizuese, konsolidimin e shtetit ligjor dhe kryerjen e reformave në vend. 
Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, Ministri Bushati siguroi për angazhimin e Shqipërisë për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA për stabilitetin, paqen e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, si dhe në drejtim të përballimit të sfidave të përbashkëta. 
Ndihmës Sekretarja Nuland shprehu mbështetjen e SHBA-ve në proceset demokratizuese, integrimin e mëtejshëm euroatlantik si dhe në prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Ajo vlerësoi reformat kurajoze të ndërmarra nga qeveria shqiptare për konsolidimin e shtetit të së drejtës në vend si dhe shprehu mbështetjen për përmbylljen sa më shpejtë të reformës në drejtësi. 
Znj. Nuland vlerësoi Shqipërinë si një aleate e fortë e e besueshme e NATO-s, si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe kontribuese e pa lëkundur për sigurinë globale, duke u ndalur në kontributet e rëndësishme të Shqipërisë në misionin e NATO-s në Afganistan, proceset stabilizuese në Irak si dhe në luftën kundër kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe fenomenit të luftëtarëve të huaj.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se zhvillimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të luajë një rol kyç në rritjen e sigurisë së rajonit tonë e më gjerë.
Në Departamentin Amerikan të Shtetit Ministri Bushati u takua me Amos Hochstein, i ngarkuar special dhe koordinator për çështjet ndërkombëtare të energjisë, me të cilin u diskutua mbi sigurinë energjetike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.Palët u ndalën në intensifikimin e përpjekjeve për përmirësimin e mjedisit të sigurisë energjetike në rajon, si dhe rolin që mund të luajë Shqipëria si një pikë ndërlidhëse në Ballkan me tregun evropian të energjisë, nëpërmjet gazsjellësit Trans-Adriatik.
Ministri Bushati mori pjesë në një seancë të posaçme të komisionit për politikën e jashtme në Kongresin Amerikan,e para e kwtij lloji pwr njw Ministwr tw Jashtwm shqiptar, Ministri Bushati i njohu kongresmenët me politikën e jashtme të Shqipërisë, situatën në rajon, zhvillimet më të fundit në vend, progresin e reformave shtet-konsoliduese, duke u ndalur veçanërisht në reformën në drejtësi si një reformë me impakt të gjerë dhe në reformat e tjera në vend. Gjatë takimit u ndanë pikëpamje mbi bashkëpunimin dypalësh, situatën në rajon, çështjet humanitare dhe të sigurisë. Kongresmenët vlerësuan ecurinë e reformave të ndërmarra nga Shqipëria, si dhe impaktin e tyre në rrugëtimin euroatlantik të vendit. Ata çmuan bashkëpunimin me Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s,  kontributin e rëndësishëm të saj për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në përballimin e sfidave të sigurisë. Bashkëbiseduesit u ndalën dhe në zhvillimet e fundit në rajon, rëndësinë e angazhimit të SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor dhe rolin e Shqipërisë si një aktor dinamik dhe konstruktiv në rajon. 
Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime të veçanta me senatorët Ron Johnson, Kryetar i nënkomisionit të Jashtëm dhe me Senatorin Chris Murphy. Palët ndanë pikëpamje mbi mjedisin e sigurisë në rajon, angazhimin e Shqipërisë dhe rezultatet konkrete në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. 
Ministri Ditmir Bushati ishte i ftuar ne dy forume të politikës ndërkombëtare të organizuara nga The Brookings Institution dhe Atlantic Council.
Në Brookings Institution Ministri Bushati mbajti një fjalë lidhur me vizionin e Shqipërisë në aktualitetin e trazuar të Evropës. Ai i njohu të pranishmit mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian, ku u shpreh se: "orientimi ynë është i qarte, ne i përkasim komunitetit trans-atlantik dhe aderimi në BE nuk është thjeshtë në interesin tonë, por është pjesë e indentitetin tonë".  Me tej duke u ndalur mbi impaktin e proceseve integruese në Ballkan, Ministri Bushati u shpreh se: "deri para dy dekadash, Ballkani Perëndimor ka qenë sinonim konfliktesh, ndërsa sot rajoni është i përfshirë në një proces bashkëpunimi dhe integrimi, duke dëshmuar gatishmërinë për të adresuar çështjet dypalëshe të mbetura pezull, në frymën e fqinjësisë së mirë". 
Në fokus të fjalës së Ministrit Bushati në Atlantic Council ishte rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt integrimit të plotë euroatlantik, si dhe për një marrëdhënie edhe më strategjike me Shtetet e Bashkuara në adresimin e sfidave rajonale dhe globale të sigurisë. Ministri Bushati vlerësoi rëndësinë e angazhimit Amerikan në rajonin tonë si dhe u shpreh se: "paqja në Ballkan mund të konsiderohet pa frike si një nga sukseset më të mëdha të politikës së jashtme amerikane". Duke u ndalur në raportet shqiptaro-amerikane në këto 25 vitet e fundit, Ministri Bushati u shpreh se: "mbështetja dhe asistenca e SHBA-ve ka qenë e një rëndësie thelbësore për Shqipërinë në rrugën drejt modernizmit dhe demokratizimit".
Ministri zhvilloi gjithashtu një takim me përfasqësues të komunitetit shqiptar në Uashington DC me të cilët bisedoi mbi rritjen e rolit të diasporës sa i takon rritjes së vizibiliteti të Shqipërisë në SHBA.

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342
Numri i emergjencës: +1 347 241 4434

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 15:00