
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi zhvilloi një vizitë dyditore pune në Gjermani, me fokus të veçantë forcimin e bashkëpunimit për mbështetjen e Arsimit Profesional dhe punësimit. Në këtë vizitë ai shoqërohej znj. Brizida Jano, drejtore e Kabinetit, z. Bashkim Sala, këshilltar, znj. Silvana Radovani, drejtore e Përgjithshme e Çështjeve të Punësimit, dhe z. Luan Bregasi, nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Punës. Pjesë e delegacionit zyrtar ishte dhe ambasadori i RSH-së në Berlin, z. Artur Kuko. Në ditën e dytë të qëndrimit në Gjermani, ministri Klosi zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punës dhe Çështjeve Sociale, z. Jörg Asmussen, me të cilin diskutoi mbi mundësitë që ekzistojnë për të çuar më përpara ndihmën gjermane në fushën e Arsimit Profesional për shkollat tona. Ministri Klosi parashtroi nevojën për një rritje efektive dhe cilësore të sistemit dual të trajnimit, duke reduktuar kështu disbalancën që ekziston mes shifrave të papunësisë dhe vendeve vakante në tregun e punës. Kjo disbalancë ka si shkak mungesën reale të punonjësve të mirëkualifikuar në profesione specifike.