Prezantohet në Vjenë muzika klasike shqiptare

Në kuadrin e vitit të kulturës Austri Shqipëri 2018, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Vjenë, në bashkëpunim me Departamentin e Kulturës të Ministrisë Federale për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, organizuan koncert me muzikë klasike nga Shqipëria. Kryeqyteti botëror i muzikës klasike mirëpriti të enjten Kuartetin Harqeve të Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar. Z. Aristidh Prosi, violincel, Albana Axha, Blerta Jakova-Ristani dhe Gëzim Bulçari, violinë, ekzekutuan me cilësi të lartë arstike pjesë të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj, si Preng Jakova, Valton Beqiri, Dimitri Shostakovic. Ishin të ftuar dhe morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Jashtme e Austrisë, Trupi Diplomatik i akredituar në Vjenë, përfaqësues të komunitetit të diasporës shqiptare në Austri, si dhe miq e artdashës austriak. Koncerti ishte një moment i rëndësishëm i paraqitjes së kulturës shqiptare, pjesë e një numri aktivitetesh të larmishme, që do të zhvillohen në kuadrin e vitit të kulturës në të dy vendet. Të pranishmit u përshëndetën nga Ambasadore Teresa Indjein, Drejtore e Depatamentit të Kulturës në Ministrinë e Jashtme të Austrisë dhe Ambasadori Roland Bimo të cilët shprehën bindjen se, aktivitetet e shumta dhe të larmishme kulturore që do të zhvillohen në të dy vendet, do t‘i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që lidhin të dy vendet tona dhe perspektivës së tyre të përbashkët.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Prinz Eugen Str. 18/1/5
A-1040 Vienë

Tel / Fax

Tel. +43 1 328 8656
Fax. +43 1 328 8658

E-MAIL

embassy.vienna@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00