Dy vizita të rëndësishme të nivelit të lartë Sh.T.Z.Bajram Begaj President i Republikës së Shqipërisë dhe Sh.T.Z. Ferit Hoxha Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme!
10 Qershor 2026
Përgjatë dy ditëve të fundit, Sofja ishte destinacioni i dy vizitave të rëndësishme të nivelit të lartë nga Shqipëria: Sh.T.Z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë, dhe Sh.T.Z. Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Përmbajtja dhe intensiteti i këtyre angazhimeve pasqyrojnë gjendjen e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Nga takimet me Presidenten e Bullgarisë, Sh.T.Zj. Iliana Iotova, Ministren e Punëve të Jashtme Velislava Petrova, Kryetaren e Asamblesë Kombëtare, si dhe nga pjesëmarrja në Samitin dhe Takimin Ministror të SEECP-së dhe diskutimet mbi të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian, dolën në pah disa mesazhe të përbashkëta:
🔹 Shqipëria dhe Bullgaria gëzojnë një marrëdhënie të bazuar në miqësi, besim dhe respekt të ndërsjellë.
🔹 Bullgaria mbetet një mbështetëse e fortë dhe e çmuar e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, ndërsa vendi ynë avancon në fazën më vendimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
🔹 Të dy vendet e konsiderojnë forcimin e lidhshmërisë, bashkëpunimin energjetik, zhvillimin e infrastrukturës, turizmin dhe shkëmbimet ekonomike si shtylla kryesore të bashkëpunimit të ardhshëm. Në këtë kuadër, Korridori VIII spikat si një projekt strategjik që lidh rajonet e Adriatikut dhe Detit të Zi, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim dhe integrim rajonal.
Këto vizita konfirmuan edhe një herë vullnetin e përbashkët të Shqipërisë dhe Bullgarisë për të thelluar partneritetin dypalësh dhe për të kontribuar së bashku në stabilitetin, prosperitetin dhe integrimin evropian të rajonit.



