Në mjediset e Ambasadës Shqiptare në Bullgari u bë shpërndarja e teksteve të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës shqiptare.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Donika Hoxha informoi fëmijët rreth lashtësisë së gjuhës shqipe dhe veҫantisë së saj duke nënvizuar rëndësinë e mësimit të saj nga fëmijët e diasporës shqiptare, kudo ku ato ndodhen. Ajo theksoi vëmendjen e veçantë që qeveria shqptare i kushton diasporës duke nënvizuar mirëintegrimin e disporës shqiptare në përbërjen sociale të vendit, ku është e vendosur.
Më tej, ajo foli për traditën e krijuar tashmë me shpërndarjen e teksteve shkollore për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës shqiptare, që megjithëse nuk kanë lindur në Shqipëri janë të lidhur me gjuhën e prindërve dhe janë të gatshëm të përmirësojnë nivelin e tyre të njohurive.
Gjatë aktivitetit u shpërndanë abetare dhe tekste mësimore, Të mësojmë gjuhën dhe kulturën shqiptare 1, 2 dhe 3. Në ditët në vijim do të shpërndahen tekste të tjera mësimore për fëmijët e disporës shqiptare.
Fjala e Ambasadores Donika Hoxha:
Të nderuar bashkëatdhetarë dhe kolegë,
Të dashur fëmijë,
Jam shumë e lumtur për praninë tuaj sot e sidomos të fëmijëve, të cilët e zbukurojnë këtë sallë të Ambasadës sonë në Sofje.
Prej disa vitesh tashmë, qeveria shqiptare e ka rritur angazhimin e saj ndaj diasporës, duke treguar një vëmendje të vecantë dhe duke u përpjekur të shfrytëzojë maksimalisht ndikimin e saj pozitiv në zhvillimin e vendit. Vitet e para të emigracionit nuk kanë qenë të lehta për askënd prej jush, por tashmë kemi arritur në atë moment kur ne ndjehemi krenarë me përfaqësuesit tonë jashtë vendit që jo vetëm janë integruar më së miri në përbërjen sociale në vendet ku janë vendosur por në të njëjtën kohë kanë mbetur të lidhur ngushtë me identitetin, kultrën, traditat dhe zakonet shqiptare.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe strukturat e vecanta për diasporën, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, cdo vit ka organizuar shpërndarjen e teksteve shkollore për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për fëmijët në diasporë. Unë jam e lumtur që sot këto tekste gjenden në Sofje dhe do të shpërndahen për ju por edhe për fëmijë të tjerë në Bullgari që nuk kanë mundur të jenë të pranishëm.
Etërit tanë e mbajtën gjallë gjuhën dhe identitetin shqiptar përmes sfidave më të mëdha me të cilët jemi përballur përgjatë historisë. Një tjetër sfidë, ajo e globalizimit dhe e lirisë së zhvendosjes kudo në botë rrezikon mos transmetimin e gjuhës tek brezat e rinj. Por, prania juaj këtu sot përcjell dëshirën për ta mbajtur gjallë gjuhën dhe historinë tonë.
Të dashur fëmijë,
Gjuha shqipe radhitet në mesin e 3 gjuhëve më të vjetra të botës. Ajo e ka burimin në gjuhen indoevropiane, e cila ka gjetur përdorim që në kohën para lindjes së Krishtit, para epokës së re.
Shqiptarët, kudo ku ata jetojnë, janë vazhdues autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, që as u romanizua dhe as u asimilua nga dyndjet e mëvonshme. Dhe për këtë duhet të jemi të gjithë krenar.
Ne jemi edhe me shumë krenarë me ju që pavarësisht se nuk keni lindur në Shqipëri, e njihni gjuhën e prindërve tuaj. Prandaj edhe kemi menduar që sot t’ju bëjmë një dhuratë, librat e shqipes, që ju ta mësoni mësuar edhe më mirë atë.
Ju faleminderit të gjithëve!