Fjala e Ambasadores Donika Hoxha me rastin e festimeve në Sofje të 110-vjetorit të Pavarësisë

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.
Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.
 
Të nderuar ministra, deputetë,

Të nderuara Shkëlqesi,

Të nderuar kolegë, miq, të dashur bashkëkombës,

Zonja dhe zoterinj,

 

Faleminderit të gjithëve që jeni këtu me ne, këtë mbrëmje, për të festuar një ditë të veçantë për të gjithë shqiptarët anembanë botës: 110-vjetorin e Pavarësisë sonë. Nuk mund të mos ndjejmë një krenari legjitime për të gjithë ata që luftuan për pavarësinë e vendit tonë dhe bënë sakrifica të panumërta për lirinë.

Dhe qysh atëherë, ne shqiptarët punuam, pavarësisht vështirësive dhe periudhave të errëta të historisë sonë, për ta bërë krenar Flamurin tonë, për ta avancuar dhe qytetëruar ashtu siç i takon Atdheut tonë. Sot, Shqipëria qëndron në anën e demokracive të konsoliduara, si aleate e NATO-s dhe anëtare e mundshme e BE-së. Rruga e saj nuk është më në diskutim. Përpjekjet e saj për të arritur qëllimet dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve të saj do të jenë të pafundme. Në këto përpjekje ne kemi qenë gjithmonë të mbështetur nga partnerë dhe aleatë, mes tyre edhe Bullgaria; me të cilën kemi lidhje dhe miqësi historike prej shekujsh ; e cila ishte një strehë e sigurt për atdhetarët tanë që luftuan për pavarësinë e vendit . Në të vërtetë, ky vit përkon me 100-vjetorin e hapjes së misioneve diplomatike në Sofje dhe Tiranë. Gjatë viteve, me Bullgarinë, ne kemi ndarë shumë qëndrime dhe vizione të përbashkëta për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. Dialogu politik aktiv në nivelin më të lartë dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona. Jam e bindur se puna e përbashkët do të vazhdojë në të gjitha fushat në dobi të mirëqenies së popujve tanë.

Në përfundim, do të doja të bëja një lutje për paqe dhe një apel për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Siç ka thënë Nënë Tereza, një tjetër shqiptare e madhe: Të mos përdorim bomba dhe armë për ta mposhtur botën. Le të mos e mbysim këtë botë në pikëllime.

“Në fund, të mirë apo të këqij, të bukur apo të shëmtuar, të pasur apo të varfër, të gjithë personazhet që jetuan dhe luftuan, do të jenë të barabartë. Të barabartë para vdekjes, por jo të barabartë në të nesërmen”.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, para se të kërkoj nga artistët tanë, diva Inva Mula, violinisti Olen Cesari dhe pianisti Genc Tukici, të na emocionojnë me muzikën e tyre, dua të falënderoj ata që bënë të mundur këtë ngjarje:

 

Ralica Agayan dhe Elvin Guri, miq shumë të mirë të Ambasadës sonë

Overgas

Opera dhe Baleti i Sofjes

Veolia Bullgari

Lajthiza, Ujë Premium

 

Dhe një falënderim i veçantë shkon për ekipin e Ambasadës Shqiptare në Sofje dhe sigurisht për artistët tanë.

Ju uroj të gjithëve një mbrëmje të këndshme!

Gëzuar Ditën Kombëtare të Shqipërisë! Rroftë miqësia mes popujve!

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rruga Aksaskos, 20, kati i 4-rt
Sofje, Bullgari

Tel / Fax

Tel. +359 29433857
Fax. +3592 943 3069
Emergency
+359 89 4311493

'

E-MAIL

embassy.sofia@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E enjte
09:00 - 17:00

E premte
09:00 - 15:00