-Marrëdhëniet dypalëshe
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë u vendosën në prill të vitit 1913 dhe më 10 tetor 1922, Konstadin Boshniak prezantoi Letrat Kredenciale si Kryetar i Legatës Shqiptare në Sofje. Në mars të vitit 1954, Shqipëria dhe Bullgaria i ngritën marëdhëniet e tyre të përfaqësimit diplomatik në nivelin e ambasadave. Nga fillimi i viteve '60 e në vazhdim ambasadat e dy vendeve tona drejtoheshin nga të Ngarkuarit me Punë dhe më 25 janar 1988 u lidh një marrëveshje për shkëmbimin e ambasadorëve.
Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, kur të dy vendet u përfshinë në kampin komunist, marrëdhëniet dypalëshe kanë njohur zhvillim në të gjitha fushat, zhvillim ky që ruhet dhe është avancuar edhe më tej në ditët e sotme.
Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Bullgari vlerësohen shumë të mira, me një bashkëpunim të shtrirë pothuaj në të gjitha fushat. Të bazuara në lidhjet historike, kulturore, njerëzore dhe ekonomike-tregtare, si dhe në shtratin e ri të integrimit euroatlantik, ato krijojnë mundësi shumë të mira për intensifikimin e tyre në të ardhmen, në linjën e vlerave evropiane dhe me impakt përmirësimin e vazhdueshëm të marredhënieve në rajon.
Bullgaria i ka dhënë mbështetjen e saj Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe vijon ta japë për hapat e mëtejshme të integrimit në BE.
Ndërmjet dy vendeve ka patur në vijimësi shkëmbim vizitash politike të nivelit të lartë (President, Kryetar Parlamenti, Kryeministër, Ministër i Jashtëm).
-Bashkëpunimi në kuadrin rajonal dhe atë ndërkombëtar
Shqipëria dhe Bullgaria bashkëpunojnë ngushtë edhe në kuadrin e një sërë organizatash dhe organizmash ndërkombëtare e rajonale, i cili realizohet në suazën rajonale, në kuadër të: Nismës së Europës Qëndrore (CEI/NEQ), Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore (SEECP), Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), SELEC dhe Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC/BEDZ), dhe në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar, në kuadër të OKB-së, NATO-s, BE-së, OSBE-së, etj.
-Bashkëpunimi ekonomik
Një nga drejtimet kryesore të bashkëpunimit dypalësh është bashkëpunimi në fushën ekonomiko-tregtare. Bullgaria është konsideruar një partner tradicional ekonomik për Shqipërinë.
Shqipëria dhe Bullgaria janë të angazhuara në mënyrë konkrete për të punuar për konkretizimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve. Nënvizojmë faktin, se ndërmjet dy vendeve janë miratuar dhe nënshkruar një sërë marrëveshjesh në fushën ekonomike që përbëjnë kuadrin e nevojshëm ligjor për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik. Ndërmjet dy vendeve ekziston një numër i konsiderueshëm marrëveshjesh, rreth 30 të tilla, të cilat rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në fushat nga më të ndryshme më interes të ndërsjellë.
Në Shqipëri ushtrojë aktivitetin e tyre një sërë kompanish bullgare, të cilat operojnë kryesisht në fushën energjitike, të furnizimit me materiale për ndërtimin e rrugëve; në fushën e ndërtimit të rrugëve; në fushën e krediteve; të prodhimit të lëngjeve, të furnizimit me cigare, etj.
-Bashkëpunim në fushën e arsimit dhe kulturës
Një fushë tjetër e rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, që ka njohur zhvillim dekadat e fundit, është arsimi, organizimi i kurseve verore për gjuhët përkatëse, shkëmbime studentësh dhe pedagogësh ndërmjet universiteteve të të dy vendeve, shkenca, kultura, artet, shëndetësia, turizmi, bashkëpunimi në fushën e arkivave të filmit, bibliotekave, trashëgimisë kulturore, etj.
-Diaspora shqiptare
Si urë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh kanë shërbyer edhe marrëdhëniet historikisht të mira ndërmjet dy vendeve. Përmendim këtu faktin, se në fund të shekullit 19 – fillimi i shekullit 20, kryeqyteti i Bullgarisë, Sofja, ka shërbyer si “vatra” ku mblidheshin patriotët shqiptarë dhe ku është është kryer një veprimtari shumë e pasur për çështjen kombëtare shqiptare. Ndër to veçojmë: organizimin e parë të diasporës shqiptare përmes shoqërisë kulturore-arsimore “Dëshira”, e cila u themelua në vitin 1886; hapjen në vitin 1897 të shtypshkronjës “Mbrodhësia”; në Bullgari kanë qëndruar shumë figuara të shquara shqiptarësh, si Ismail Qemali e Shahin Kolonja, Gjergj Qiriazi e Themistokli Gërmenji, Thimi Mitko, Pandeli Cale e Mit’hat Frashëri, por edhe shumë të tjerë.