Më datë 19 Shtator 2026, me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada nisi shpërndarjen e teksteve mësimore të gjuhës dhe kulturës shqiptare, të përgatitura tashmë për tre nivele, në shkollat shqipe në Kanada.
Kjo nismë, e realizuar në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën, nisi me shkollën shqipe në Montreal. Në këtë kuadër, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, Sh.T.Znj. Artemis Malo, i dorëzoi znj. Julinda Basha, Kryetare e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Montreal, tekstet mësimore për nxënësit e shkollës.
Mbështetja e mësimit të gjuhës shqipe dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore kombëtare në diasporë mbeten një angazhim i vazhdueshëm i institucioneve shqiptare. Kjo nismë synon të krijojë më shumë mundësi për mësimin e gjuhës amtare dhe të forcojë lidhjet e brezave të rinj me gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar.


