

Më datë 23 Korrik 2026, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada mori pjesë në ceremoninë zyrtare të lançimit të verërave shqiptare “Çobo”, “Pelium” dhe “Perla” në Provincën e Ontarios, duke shënuar një moment historik për praninë e verës shqiptare në tregun kanadez.
Kjo arritje përfaqëson një hap të rëndësishëm në promovimin e produkteve shqiptare në Kanada dhe është rezultat i nismës së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Dhomën e Tregtisë dhe Biznesit të Diasporës Shqiptare, LCBO-në, z. Arqile Karanxha, Drejtor i Operacioneve të Shitjeve të Produkteve në LCBO, si dhe kantinat shqiptare “Çobo”, “Pelium” dhe “Perla”.
Prania e verërave shqiptare në rrjetin LCBO përbën një sukses të rëndësishëm për prodhuesit shqiptarë, promovon traditën dhe cilësinë e verarisë shqiptare dhe kontribuon në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë.


