MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI – KANADA
Marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë, janë vendosur më 10 shtator të vitit 1987. Deri në vitin 1992 Ambasada e Kanadasë në Beograd mbulonte edhe Shqipërinë. Më pas, deri në vitin 1999, ky juridiksion i kaloi Ambasadës së Kanadasë në Budapest, Hungari dhe që prej vitit 1999 e në vazhdim Kanadaja përfaqësohet në Shqipëri nëpërmjet ambasadorit të saj në Romë, Itali.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë marrë zhvillim më të madh pas vendosjes së demokracisë pluraliste në Shqipëri. Në prill të vitit 2001, u hap për herë të parë ambasada e Republikës së Shqipërisë në Otavë, e cila i dha një impuls të ri forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kanadaja është një partner i vyer dhe me kontribut të rëndësishëm në konsolidimin demokratik dhe zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë. Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë bazohen në një miqësi të konsoliduar, në dialogun e mirë politik, vlerat e përbashkëta demokratike, në partneritetin e ngushtë si aleatë në NATO dhe lidhjet ndërmjet dy popujve. Marrëdhëniet tona politike dhe diplomatike janë zhvilluar akoma më shumë gjatë këtyre viteve, me ndikim të drejtpërdrejtë në fuqizimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët.
Në dhjetor 2016, Asambleja Legjislative e Ontarios shpalli muajin nëntor si Muaj të Trashëgimisë Shqiptare. Në këtë mënyrë, Provinca e Ontarios njeh kontributin domethënës të imigrantëve për formimin e komuniteteve, si edhe arritjet shoqërore, ekonomike, politike dhe kulturore të shqiptaro-kanadezëve në të gjithë provincën. Muaji i Trashëgimisë Shqiptare përbën, gjithashtu, një mundësi për të kujtuar, festuar dhe edukuar brezat e rinj rreth historisë së pasur të Ontarios.
Ky vit shënon 35 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona. Kanadaja është një aktor i rëndësishëm në avancimin e demokracisë liberale, paqes dhe sigurisë përmes zhvillimit. Si pjesë e marrëdhënieve shumë të mira dhe sfidave të përbashkëta të sigurisë, kryesisht si aleatë të NATO-s, ne mbetemi të përkushtuar për të zgjeruar dhe forcuar bashkëpunimin tonë në çdo aspekt me interes për të dyja palët. Ne vlerësojmë rolin e Kanadasë në avancimin e demokracisë dhe forcimin e paqes dhe sigurisë globale dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me të në këtë drejtim, përfshirë dhe në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB.
Në kuadër të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, dy vendet kanë nënshkruar Marrëveshje dhe Memorandume Mirëkuptimi në fusha të ndryshme. Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore e cila u nënshkrua në 30 prill 2019, ka hyrë në fuqi në 1 gusht 2022. Shqipëria dhe Kanadaja po koordinojnë me vullnet të përbashkët avancimin e marrëveshjeve në proçes. Plotësimi i vazhdueshëm i kuadrit ligjor, përbën garanci të mëtejshme për nxitjen e ndërsjellë të shkëmbimeve dhe investimeve dypalëshe.
Diaspora shqiptare e mirë integruar në shoqërinë dhe jetën kanadeze përbën një urë të fortë lidhëse dhe faktor të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve njerëzore dhe bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy vendeve.