Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj mori pjesë në Samitin e Nismës së Tre Deteve, të zhvilluar në Dubrovnik, në një moment që shënon dhjetëvjetorin e themelimit të kësaj nisme. Me këtë rast, Presidenti vlerësoi arritjet e deritanishme dhe theksoi rëndësinë e kalimit nga fjalët në veprime konkrete.
“Ajo që ka rëndësi tani nuk është ajo që themi, por ajo që bëjmë, sepse veprimet tona sot do të kenë pasoja për dekadat që do të vijnë. Lidhshmëria do të formësojë mënyrën se si rritet Evropa, ndërsa vlerat do të përcaktojnë se çfarë do të bëhet ajo,” u shpreh Presidenti.
Në deklaratën e miratuar në këtë samit u theksua zgjerimi i Bashkimit Evropian si një investim strategjik për paqen dhe begatinë në Evropë, duke përsëritur thirrjen për një proces pranimi transparent, të bazuar në meritë, të besueshëm dhe të parashikueshëm për vendet kandidate, me referencë të veçantë për Shqipërinë.
Presidenti theksoi se Shqipëria është e gatshme të kontribuojë përmes projekteve konkrete, bashkëpunimit dhe një angazhimi të qartë ndaj objektivave të përbashkëta.



