Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, Sh.S.Znj. Donika Hoxha, zhvilloi një vizitë kortezie në Qendrën për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë (RACVIAC), ku u prit ngrohtësisht nga Drejtori i Qendrës, Sh.T. Ambasador Constantin-Mihail Grigorie, dhe anëtarë të ekipit të tij.
Vizita shërbeu si një mundësi për të nënvizuar angazhimin aktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë dhe rolin udhëheqës të saj si Kryetare aktuale e Grupit Këshillimor Shumëpalësh (MAG), organi drejtues i RACVIAC.
Ambasadorja Hoxha rikonfirmoi përkushtimin e Shqipërisë për të forcuar rolin e RACVIAC si një platformë e besuar për dialog, ndërtim besimi dhe zhvillim kapacitetesh ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore.
Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat aktuale të sigurisë në rajon dhe më gjerë, përfshirë rëndësinë e bashkëpunimit shumëpalësh në përballimin e kërcënimeve në zhvillim si lufta hibride, rreziqet kibernetike dhe pasiguritë gjeopolitike.
Vizita rikonfirmoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Shqipërisë dhe RACVIAC dhe pasqyroi interesin strategjik të Shqipërisë për të promovuar paqen, stabilitetin dhe integrimin euroatlantik përmes dialogut konstruktiv dhe iniciativave të përbashkëta.