Misioni i Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian zhvilloi një diskutim të rëndësishëm me ekspertët e Komunikimit Strategjik të European External Action Service (EEAS) dhe zyrtarë komunikimi nga Delegacionet e BE-së në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Takimi shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe praktikave më të mira mbi komunikimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Diskutimet u fokusuan te sfidat dhe mundësitë për të informuar qytetarët mbi përfitimet konkrete dhe rëndësinë strategjike të këtij procesi, si në vendet kandidate ashtu edhe në shtetet anëtare të BE-së.

Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e komunikimit të qartë dhe të bazuar në fakte për të rritur ndërgjegjësimin jo vetëm të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të qytetarëve evropianë mbi vlerën e zgjerimit. Një opinion publik i mirëinformuar është thelbësor për të ndërtuar mbështetje më të gjerë për një proces që kontribuon në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë kontinentit.
Shqipëria mbetet e përkushtuar për të forcuar komunikimin strategjik mbi procesin e zgjerimit, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët evropianë për të përcjellë mesazhe të qarta, të besueshme dhe të bazuara në fakte.


