27 Maj, Bruksel
Komiteti Evropian i Rajoneve (KoR) zhvilloi aktivitetin e përvitshëm “Ditët e Zgjerimit” gjatë të cilit u mbajtën diskutime në formate të ndryshme me fokus rolin dhe kontributin e qeverisjes lokale të vendeve kandidate në procesin e integrimit evropian dhe sfidat e përbashkëta me të cilat hasen rajonet dhe bashkitë. Në takimin e parë inaugurues të Komitit të Përbashkët Konsultativ morën pjesë anëtarët e KPK nga pala jonë si dhe nga BE, bashkëkryetarët e KPK-së, përfaqësuesve nga Komisioni Evropian dhe Komiteti i Rajoneve.
Ngritja e KPK-së do të ofrojë një formë të qëndrueshme dhe konsistente bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve vendore dhe rajonale të Shqipërisë me homologët e tyre nga vendet anëtare të BE-së, nën koordinimin e Komitetit të Rajoneve. Fokusi i aktiviteteve të KPK do të jetë përgatitja e përfaqësuesve lokalë për anëtarësimin në BE, vlerësimi i ndikimit të politikave të BE-së nga një perspektivë lokale dhe rajonale, krijimi i një rrjedhe të drejtpërdrejtë informacioni mbi zhvillimet politike në vendet kandidate dhe atyre anëtare, si dhe monitorimi i negociatave të anëtarësimit, duke u përqendruar në fushat me rëndësi të veçantë për qeverisjen vendore.
Në fjalën e tij, Ambasadori Hoxha theksoi se autoritetet lokale dhe rajonale janë në ballë të transformimeve demokratike dhe se janë këto autoritete që i kthejnë politikat në praktikë, që ofrojnë shërbime publike dhe që përballen me sfidat e përditshme të shoqërive tona. Ai shtoi se njësitë e qeverisjes vendore janë në pozicionin më të mirë për të promovuar rritjen gjithëpërfshirëse, për t’iu përgjigjur nevojave lokale dhe për të mbështetur parimet e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së qytetarëve. Për këtë arsye, ai e konsideroi KPK-në jo si një destinacion apo thjesht si një arritje për të shënuar në librin tonë të angazhimeve, por si një fillim, si një forum i rëndësishëm ku mund të mësojmë, të shkëmbejmë, të mbështesim njëri tjetrin dhe të rritemi së bashku.
Ambasadori ripërsëriti se integrimi i Shqipërisë në BE është një qëllim kombëtar, i përqafuar nga shumica dërrmuese e qytetarëve, që mund të arrihet vetëm nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës brenda vendit – nga shoqëria civile, akademia, të rinjtë, komunitetet e biznesit dhe, në mënyrë kritike, nga autoritetet lokale dhe rajonale. Ai përmbylli fjalën e tij duke thënë se Evropa nuk është vetëm një destinacion, por një projekt kolektiv që ndërtojmë çdo ditë, në çdo rajon dhe me çdo qytetar.