Gjatë ditës së parë të Forumit Strategjik të Bledit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi takime dypalëshe me Donika Gërvalla-Schwarz, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës; Sirpa Rautio, Drejtoreshë e Agjensisë Evropiane për të Drejtat Themelore dhe Stephen Doughty, Ministër i Shtetit për Evropën, Amerikën e Veriut dhe Territoret e Jashtme, Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.
Në takimin me MPJ Gërvalla, dy homologët vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer dhe vëllazëror midis dy vendeve, teksa theksuan se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike.
Ministri Hasani u shpreh se nevojitet një konkretizim i Partneritetit Strategjik e gjithëpërfshirës me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal ndër shqiptar e më gjerë.
Gjatë takimit me Drejtoreshën e Agjensisë Evropiane për të Drejtat Themelore, MEPJ Igli Hasani u shpreh se Shqipëria po bën çmos për
marrjen e masave përkatëse për krijimin e një Metodologjie të Grumbullimit të të Dhënave për një vlerësim të duhur të nivelit të zbatimit të politikave dhe strategjive të legjislacionit për të drejtat e njeriut.
Ministri Hasani përmbylli ditën e parë të punimeve të forumit, duke zhvilluar një takim me Stephen Doughty, Ministër i Shtetit për Evropën, Amerikën e Veriut dhe Territoret e Jashtme, Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.
Ministri Hasani dhe Ministri Doughty vlerësuan marrëdhëniet e mira dypalëshe Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar, teksa u dakordësuan për forcimin e përpjekjeve për intensifikimin e mëtejshëm të tyre.
MEPJ Igli Hasani u shpreh se qeveria shqiptare mirëpret investimet dhe mbështetjen britanike në sektorët strategjikë si: mbrojtja, siguria dhe siguria kibernetike, energjia, infrastruktura etj.
Forumi Strategjik i Bledit është një platformë globale për gjenerimin e ideve dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi shoqërinë e sotme dhe të ardhmen e saj dhe njihet si një nga konferencat kryesore ndërkombëtare në Evropën Qendrore dhe Juglindore për shkak të madhësisë së saj, numrit të pjesëmarrësve dhe angazhimit për debate gjithëpërfshirëse dhe konstruktive. Çdo vit, ky event ndiqet nga një grup i ndryshëm pjesëmarrësish që përfshihen në diskutime që nxisin mendimin për të adresuar sfida të shumta rajonale dhe globale.