Tiranë, Ministrja Xhaçka takon Nikos Dendias: Kufizimi i zonave detare, vullnet për kompromis për referimin e çështjes në Hagë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim në Tiranë ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.
Ministrja Xhaçka vlerësoi se Greqia mbetet një partner i besueshëm në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian, teksa theksoi se ka vullnet nga të dyja palët për të kërkuar zgjidhje për çështje të vështira që janë në interes të të dyja vendeve.
“Jam e lumtur që kemi mirëkuptim për të trajtuar dhe për të kërkuar zgjidhje për të gjithë gamën e çështjeve, sado të vështira, që kemi trashëguar nga historia, siç është nevoja për të shfuqizuar Ligjin e Luftës, çështje të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, çështje të hapura të karakterit kufitar, si dhe marrëveshja për zgjidhjen e incidenteve kufitare. Një ndër çështjet e trajtuara ishte edhe ajo e kufizimit të zonave detare, si një çështje në interes të dy vendeve tona. Të dyja palët kanë vullnetin për kërkimin e një kompromisi që do të bënte të mundur referimin e çështjes tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, tha kryediplomatja shqiptare në deklaratën për mediat.
Ministri Dendias u shpreh se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor mbetet një sfidë që duhet përballuar me sukses, teksa ndau të njëjtën qasje me ministren Xhaçka sa i përket kompromisit për ta referuar çështjen e kufizimit të zonave detare në Strasburg.
“Mendoj se zgjidhja e kësaj çështjeje, zgjidhja e ligjit të luftës dhe dy marrëveshjet e tjera, ku njëra prej tyre është për shmangien e episodeve me kufijtë por edhe mirëmbajtja e piramidave kufitare janë ato që do të dërgojnë mesazh në komunitetin ndërkombëtar që e drejta ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare e detit është ajo që përbën bazën për zgjidhjen e të gjitha diferencave ndërshtetërore”, tha ai.
Vizita e ministrit Dendias në Tiranë, vjen vetëm pak ditë pas vizitës zyrtare të ministres Xhaçka në Athinë, më datë 2 dhjetor të këtij viti.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00