Në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, Zv/Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo, ka pritur në një takim Kryetarin e Këshillit Shqiptaro-Amerikan, Haxhi Dauti.
Zv/Ministrja Malo vlerësoi kontributin e çmuar të Haxhi Dautit në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, teksa theksoi se diaspora është një prioritet i rëndësishëm për qeverinë shqiptare.
Zv/Malo u shpreh se MEPJ është e angazhuar drejtpërdrejtë në jetësimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën dhe Planin e Veprimit, teksa nënvizoi nevojën për një marrëdhënie më aktive dhe dinamike ndërmjet diasporës dhe shtetit amë.
Sipas saj, MEPJ mbetet e përkushtuar për të zhvilluar një dialog të vazhdueshëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, në respekt të standardeve dhe detyrimeve ndërkombëtare, duke vlerësuar peshën, rolin dhe kontributin e tyre në vendet ku ata jetojnë.