Gjeneva konsiderohet qendra ndërkombëtare e diplomacisë së çarmatimit, për faktin se që prej vitit 1979 në Gjenevë mblidhet Konferenca për Çarmatimin (CD), i vetmi forum shumëpalësh i OKB për të negociuar çështjet e çarmatimit.
Konferenca mblidhet në sesion vjetor, të ndarë në tre pjesë prej dhjetë, shtatë dhe shtatë javësh. Drejtimi i Konferencës bëhet nga anëtarët e saj, në bazë të rotacionit, ku secili anëtar kryeson për një periudhë prej katër javësh.
Konferenca raporton çdo vit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Ajo vendos me konsensus. Ndër produktet e Konferencës për Çarmatimin renditen Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), Konventa për Armët Biologjike (BWC), Konventa për Armët Kimike (CWC) dhe Traktati Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Provave Bërthamore (CTBT).
Shqipëria i ndjek punimet e Konferencës për Çarmatimin në cilësinë e vendit jo-anëtar. Diskutimet në Konferencë, kontaktet me organizata ndërkombëtare, organe të OKB, përfaqësues të botës akademike dhe organizata joqeveritare në Gjenevë që trajtojnë çështje të çarmatimit, janë thelbësore për formulimin e pozicionit të Shqipërisë në forumet ku jemi anëtarë. Misioni Gjenevë mbulon gjithashtu një numër marrëveshjesh ndërkombëtare për çarmatimin.
Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore
Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) është instrumenti kryesor për një botë pa armë bërthamore. NPT përbëhet nga tre shtylla: mospërhapja, çarmatimi dhe e drejta për përdorim paqësor të teknologjisë bërthamore.
Shqipëria, si shumica e shteteve anëtare të OKB-së, është palë në NPT. Në vitin 2020, kur NPT kremtonte 50-vjetorin e hyrjes në fuqi, parashikohej të mbahej dhe Konferenca Rishikuese (RevCon 2020) e shteteve palë të NPT, në përgatitje të së cilës shtetet palë ishin mbledhur në tre sesione përgatitore (Vjenë, maj 2017; Gjenevë, prill-maj 2018; Nju Jork, prill-maj 2019). Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, mbajtja e RevCon është shtyrë për në 2-27 gusht 2021, në Nju Jork.
Lëndët fisile
Prej disa vitesh, CD po përpiqet të negociojë një traktat (FMCT) për të ndaluar prodhimin e dy komponentëve kryesorë të armëve bërthamore: uraniumit të pasuruar shumë (HEU) dhe plutoniumit. Shtetet palë të NPT që nuk kanë armë bërthamore e kanë të ndaluar të prodhojnë ose të fitojnë lëndë fisile për armë. FMCT do të siguronte kufizime të reja për pesë shtetet e njohura si posedues të armëve bërthamore (SHBA, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kina), dhe për katër vendet që nuk janë anëtarë të NPT (Izraeli, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut).
Nëpërmjet Rezolutës 71/259 të 26 dhjetorit 2016 (A/RES/71/259), Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të krijojë një grup përgatitor të nivelit të lartë prej 25 anëtarësh për të shqyrtuar dhe dhënë rekomandime për elementet thelbësore të një traktati që ndalon prodhimin e lëndëve fisile për armë ose pajisje të tjera shpërthyese bërthamore. Grupi është mbledhur në Nju Jork në takime informale konsultative në 2017, 2018, 2019 dhe (virtualisht) 2020.
Konventa për Armët Biologjike
Konventa për Ndalimin e Zhvillimit, Prodhimit dhe Arkivimit të Armëve Bakteriologjike (Biologjike) dhe Toksinave, e njohur shkurt si Konventa për Armët Biologjike (BWC), u negociua në vitin 1975, duke zëvendësuar Protokollin e Gjenevës të vitit 1925. Konventa ndalon zhvillimin, prodhimin dhe grumbullimin e armëve biologjike dhe toksinave, si dhe kërkon shkatërrimin e tyre. Shqipëria është palë e BWC prej vitit 1992. Shtetet palë mblidhen çdo vit në konferencë vjetore për të diskutuar mbi progresin e bërë në zbatimin e Konventës.
Konventa mbi disa Armë Konvencionale
Konventa mbi Disa Armë Konvencionale (CCW) është një traktat kuadër që ndalon përdorimin e armëve të cilat konsiderohen të jenë çnjerëzore. Traktati ka 5 protokolle të veçanta (non-detectable fragments; mines, booby traps and other devices; incendiary weapons; blinding laser weapons; explosive remnants of war) dhe aktualisht po diskutohet mbi Lethal Autonomous Weapons Systems (LAWS), të njohur si “robotët vrasës”.
Konventa për ndalimin e minave kundër personave
Konventa për ndalimin e përdorimit, të magazinimit, të prodhimit dhe të transferimit të minave kundër personit (APMBT) dhe për shkatërrimin e tyre, e njohur ndryshe si Traktati i Otavës, hyri në fuqi në vitin 1999. Sipas Konventës, përdorimi, prodhimi, grumbullimi dhe transferimi i minave është i ndaluar. Përveç kësaj, vendet janë të angazhuara në shkatërrimin e rezervave, duke pastruar zonat e minuara dhe duke asistuar viktimat e minave.
Shqipëria u anëtarësua në Konventë në vitin 2000. Në vitin 2003, Shqipëria raportoi shkatërrimin e të gjitha stoqeve të minave kundër personit. Në vitin 2009, Shqipëria kishte shkatërruar ose siguruar shkatërrimin e të gjitha minave kundër personit në zonat nën juridiksionin ose kontrollin e saj, në të cilën dihej ose dyshohej të ishin vendosur mina kundër personit. Në vitin 2010, Shqipëria ishte presidente e Takimit të 10-të të Shteteve Palë të Konventës për ndalimin e minave kundër personave.
Konventa për municionet thërrmuese
Konventa për municionet thërrmuese (CCM) e vitit 2010 ndalon përdorimin, prodhimin, grumbullimin dhe transferimin e këtyre armëve. Shqipëria është një prej 120 shteteve anëtare. Pas nënshkrimit të Konventës, shtetet janë të detyruara të shkatërrojnë rezervat e tyre brenda tetë viteve dhe të mbajnë mbetje të grumbulluara brenda dhjetë vjetësh.
Traktati për Tregtinë e Armëve
Traktati për Tregtinë e Armëve (ATT) hyri në fuqi në vitin 2014. Përveç kërkesës për krijimin e sistemeve kombëtare të kontrollit për rregullimin e eksportit të armëve, ATT bën thirrje për më shumë transparencë dhe synon të kufizojë tregtinë e paligjshme të armëve. Aktualisht, Traktati numëron 96 shtete palë dhe 39 nënshkruese. Shqipëria është palë që prej 24 dhjetorit 2014.
Shqipëria është pjesë e Komitetit të Përzgjedhjes të Fondit të Mirëbesimit Vullnetar (FMV), i përbërë nga 15 shtete anëtare, për periudhën 2020-2022 (nga Konferenca e gjashtë në Konferencën e tetë të Shteteve Palë të ATT). FMV do të shpërndajë fonde për projektet e zbatimit të ATT në përputhje me dispozitat e kushteve të saj të referencës dhe rregullave administrative.
Armët e Vogla dhe të Lehta
Armët e Vogla dhe të Lehta (SALW) shkaktojnë shumicën e viktimave në mbarë botën. Të lehta për tu përdorur, për t’u mbajtur dhe për t’u fshehur, SALW janë shpesh armët e zgjedhura në situata konflikti. Nuk ka asnjë traktat gjithëpërfshirës për këtë lloj armësh, por vetëm një dokument politik, Programi i Veprimit i vitit 2001 i OKB-së për Parandalimin, Luftimin dhe Zhdukjen e Tregtisë së Paligjshme të Armëve të Vogla dhe të Lehta.
Shqipëria ka shkatërruar 168,119 armë dhe 105,778 ton municion luftarak gjatë 10 viteve të fundit, duke e shndërruar vendin nga një arsenal i vërtetë armësh, në një me shumë pak arsenal. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2019, Shqipëria shkatërroi 9.492 armë të vogla dhe armatim të lehtë, si dhe parashikon të shkatërrojë në vitet në vijim 11,125 armë të vogla dhe armatim të lehtë.