Postuar më: 9 korrik 2024
Në datat 2- 3 tetor 2024, në Berlin, Gjermani, do të zhvillohet Panairi Global Albanian Gastronomy Festival (GAGF), me temë: “Aty ku tradita takohet me tregtinë.”
Global Albanian Gastronomy Festival (GAGF) është panairi tregtar më i madh shqiptar i organizuar jashtë vendit dhe do të ketë në fokus sektorët që lidhen me gastronominë, menaxhim restorantesh, hotelesh, baresh. furra buke, markete, kompani distribucioni, shefa kuzhine etj.
Misioni i GAGF është promovimi i trashëgimisë, kulturës dhe zhvillimit ekonomik shqiptar duke ekspozuar produktet dhe shërbimet e kompanive tona, duke rritur mundësitë e rrjetëzimit dhe tregtisë, dhe duke festuar traditat e pasura të shqiptarëve në një skenë globale.
Sektori i gastronomisë është një sektor ku shqiptarët në Diasporë janë tejet të suksesshëm. Ka mbi 20.000 restorante dhe bare në pronësi të shqiptarëve në Evropë dhe Amerikë dhe ky është një potencial rrjetëzimi biznesor që duhet shfrytëzuar. Ndërkohë, edhe shumë restorante, bare, hotele menaxhohen nga shqiptar apo ata janë pronar të marketeve, furra të bukës apo kompanive të distribucionit.
Gjermania është përzgjedhur si destinacion kyç, në mes të Evropës, për të tërhequr diasporën shqiptare të suksesshme në gastronomi nga Evropa dhe Amerika, për t’ju promovuar produktet shqiptare, për të tërhequr investime dhe për të forcuar e ekonominë e Shqipërisë, por edhe për të vlerësuar dhe festuar arritjet dhe kontributin e tyre. Shpesh herë këto restorante kanë shërbyer si qendra diskutimi dhe mbledhje fondesh për çështje kombëtare apo çështje të tjera sociale.
Ekspozues në pjesën e panairit tregtar do të jenë 150 kompani shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi që operojnë në sektorët e: ndërtimit, dizanj & mobilim; zinxhirit të vlerës – ushqime, pije, paketim; shërbime digjitale & outsourcing; investime në turizëm.
Të gjitha këto janë produkte dhe shërbime, apo mundësi investimi që i shërbejnë bizneseve shqiptare të suksesshme në gastronomi në Evropë dhe Amerikë.
Projekti ka si qëllime kyçe:
- Rritjen e eksportit dhe përmirësimin e balancës së tregtisë për Shqipërinë.
- Përmirësimin e konkurueshmërisë së kompanive të orientuara në eksport, veçanërisht në sektorin e gastronomisë, në ato tregje që kërkojnë cilësi të lartë, sasi të ulët dhe shpërndarje të shpejtë.
- Krijimin e të ardhurave dhe vendeve të punës, me theks të veçantë në grupe të margjinalizuara të punësuara në bujqësi apo punë druri.
- Angazhimin e diasporës shqiptare për të sjellë investime në Shqipëri.
- Promovimin e produkteve vendore në platforma të njohura dhe krijimin e perceptimeve pozitive për to në nivel global.
- Promovimin e trashëgimisë kulturore të vendeve shqipfolëse në një skenë ndërkombëtare, veçanërisht të Shqipërisë në kuadër edhe të IBT Berlin 2025.
- Synohet një pjesëmarrje e konsiderueshme prej 6000 vizitorë, shqiptarë të suksesshëm në gastronomi nga diaspora shqiptare kudo në botë, si dhe biznese gjermane për të nxitur mundësitë e tregtisë dhe investimeve.
- Përveç panairit tregtar, do të ketë dhe një mbrëmje gala me tenorin Ramë Lahaj dhe një ceremoni ndarje çmimesh për ato biznese që janë Ambasadorët më të mirë të gastronomisë shqiptare kudo në botë.
- Me pjesëmarrjen aktive dhe mbështetjen e palëve të ndryshme të interesit, ky organizim vjetor aspiron të bëhet ngjarja më domethënëse e organizuar nga Shqiptarët në skenën globale. Ndikimi do të kapërcejë aspektet monetare, duke u shtrirë në rritjen e imazhit ndërkombëtar të Shqiptarëve dhe tërheqjen e investimeve për projekte dhe aspirata ekonomike
Programi i GAGF 2024 përfshin:
- Panairin tregtar, i cili do t’iu ofrojë ekspozuesve, 150 kompani shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, një platformë për të shfaqur produktet dhe shërbimet e tyre, duke nxitur negociatat dhe krijimin e partneriteteve afatgjata me blerësit e mundshëm.
- Seminare dhe panele diskutimi me tematika mbi: të bërit biznes në zinxhirin e vlerës së gastronomisë, ofertën turistike shqiptare, angazhimin e diasporës për investime në Shqipëri, trashëgiminë kulturore dhe historinë e kuzhinës shqiptare etj.
- Takimet B2B që do të mundësojnë bashkëpunime, partneritete dhe ndarje të njohurive.
- Aktivitete kulturore, me prezencë të kuzhinierëve shqiptarë nga rajone të ndryshme, të cilët do të shfaqin aspekte të ndryshme të kuzhinës shqiptare, por edhe nga kuzhina italiane, franceze, kineze, japoneze etj., të përgatitura prej tyre ose kuzhinierë ndërkombëtarë që punojnë në restorante me pronësi/menaxhim shqiptarë.
Për më shumë informacion rreth eventit dhe pjesëmarrjes, lutemi të konsultoni faqen web: gagfestival.com