Dialogu Politik: Marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë janë marrëdhënie të fqinjësisë së mire, si dy vende anëtare në NATO, me interesa jetike të përbashkëta, që ndajnë vlerësimin se marrëdhëniet ndërmjet tyre janë me rëndësi strategjike në rajon.
Edhe pse zyrtarisht, marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë u rivendosën në datën 6 maj 1971, marrëdhëniet tona me Greqinë janë shumë më të hershme, me lidhje të forta historike dhe njerëzore.
Greqia ka mbështetur dhe është shprehur zyrtarisht në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Shqipëria e konsideron Greqinë një fqinj të çmuar, por edhe partner në rrugën e saj drejt demokracisë, përparimit dhe integrimit evropian.
Të dyja palët vlerësojnë dhe angazhohen për trajtimin, në respekt të së drejtës ndërkombëtare, kuadrit të brendshëm ligjor dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të gjitha problemet e trashëguara nga e kaluara e largët apo e vonë dhe për gjetjen e zgjidhjeve të mirë pranuara mes palëve.
Të dyja vendet kanë vazhduar pandërprerë dialogun dhe bashkëpunimin dypalësh. Tregues është zhvillimi i shumë takimeve në nivele të ndryshme, në të cilat është rënë dakord për caktimin e një agjende konkrete bashkëpunimi, si dhe vazhdimi i ecurisë së mirë grupeve të punës për probleme të ndryshme me interes reciprok. Të dyja palët po punojnë për të çuar më tej përparimin e bërë gjatë viteve të kaluara në kuadrin e mekanizmit dypalësh.
Minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti i madh i emigrantëve shqiptarë në Greqi, përbëjnë ura të forta miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Shqiptarët që jetojnë në Greqi, përfaqësojnë komunitetin më të madh të të huajve atje, duke qenë një faktor i rëndësishëm që kontribuon, jo vetëm në jetën e atij vendi, por edhe të marrëdhënieve tona.
Duke e konsideruar minoritetin grek, si një vlerë të shtuar të vendit tonë, Shqipëria vijon të jetë tërësisht e angazhuar në drejtim të respektimit dhe mbrojtjes të të drejtave të pakicave kombëtar. Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm kuadrin ligjor të politikave për mbrojtjen e minoriteteve, duke miratuar në tetor 2017 një ligj specifik për mbrojtjen e tyre, mbështetur në ekspertizën ndërkombëtare, përmes një procesi gjithëpërfshirës konsultimi, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri.
Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Greqia vazhdon të jetë një ndër partneret më të rëndësishëm ekonomikë të Shqipërisë. Për vite me radhë ajo ka qenë në krye të listës së partnerëve në tregti dhe në investimet e huaja direkte. Një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik dhe financiar të Shqipërisë ka qenë e orientuar drejt saj, duke bërë që ekonomitë e të dyja vendeve të jenë të lidhura mes tyre. Të dyja vendet kanë interesa reciproke për zhvillim, thellim dhe zgjerim të bashkëpunimit në shumë fusha me interes ekonomik.
Diplomacia Ekonomike në Fokusin e Politikës së Jashtme
Si një nga prioritetet e politikës së jashtme, diplomacia ekonomike dhe fuqizimi i dimensionit të saj, në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik me vende partnere dhe strategjike, në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe interesave strategjike të vendit, erdhi si nevojë dhe kërkesë e kohës dhe globalizmit ekonomik në të cilin influenca dhe kontrolli nëpërmjet diplomacisë ekonomie ka rritur rolin, forcën dhe përfshirjen e Ministrisë së Jashtme në tërësinë e dialogut të jashtëm ndër-shtetëror, duke shkuar përtej tregtisë dhe investimeve, deri në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.
Me një agjendë gjithëpërfshirëse, diplomacia ekonomike trajton çështje që lidhen me marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, marrëveshjet gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit ekonomik bilateral dhe multilateral, që lehtësojnë shkëmbimet midis palëve kontraktuese, eliminojnë divergjencat, problematikat e lindura në marrëdhëniet shtet me shtet dhe biznes me shtet, duke tentuar adresimin e saktë me zgjidhje më të mira, si dhe harmonizojnë standardet në sektorë të ndryshëm ekonomik, social, mjedisor, arsimor, kulturor.
Për realizmin e një politikë të jashtme aktive, marketingu dhe pragmatiste, me fokus tek promovimi i interesave kombëtare të vendit, nxitjes dhe tërheqjes së investimeve të huaja, si dhe nevojës për autoritet zyrtar në ndërveprim, brenda Strukturës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, MEPJ, është ngritur Drejtoria e Diplomacisë Ekonomike. Si një instrument i politikës së jashtme dhe si një njësi me funksion bazë të saj ndërveprimin, bashkërendimin dhe bashkëpunimin me struktura brenda dhe jashtë MEPJ-së, lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me promovimin e interesave ekonomike të vendit në tërheqjen e investimeve të huaja, promovimin e vendit si destinacion turistik dhe promovimin e produkteve dhe të shërbimeve “Made in Albania.”
Marrëveshjet me Greqinë:
1. Konventë veterinare midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, nënshkruar më 21.5.1976.
2. Marrëveshje fitosanitare midis Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, nënshkruar më 30.3.1977.
3. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për transportin ajror civil, nënshkruar më 16.7.1977, hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit.
4. Marrëveshje midis Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për ndërtimin dhe vënien në funksionim të linjës elektrike të tensionit të lartë për lidhjen e sistemeve elektroenergjike të tyre, nënshkruar më 12.12.1981.
5. Marrëveshje kulturore midis Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, nënshkruar më 4.12.1984.
6. Marrëveshje e bashkëpunimit shkencor dhe teknik midis Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, nënshkruar më 4.12.1984.
7. Marrëveshje midis Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për transportin rrugor ndërkombëtar, nënshkruar më 4.12.1984.
8. Marrëveshje mbi shërbimet postare midis Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, nënshkruar më 4.12.1984.
9. Marrëveshje për shërbimet e telekomunikacioneve midis Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, nënshkruar më 4.12.1984.
10. Marrëveshje për tregtinë kufitare midis Qeverisë së Republikës Socialiste Popullore të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, nënshkruar më 17.4.1988.
11. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve, nënshkruar më 1.8.1991, hyrë në fuqi më 4.1.1995.
12. Konventa konsullore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, nënshkruar më 22.6.1992, hyrë në fuqi më 31.1.1993.
13. Marrëveshje për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke, nënshkruar më 22.6.1992.
14. Marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke për hapjen e posteve konsullore, nënshkruar më 22.6.1992.
15. Konventë midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për zbatimin reciprok të vendimeve gjyqësore për çështjet penale, nënshkruar më 17.5.1993.
16. Konventa midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për transferimin e të dënuarve të burgosur, nënshkruar më 17.5.1993.
17. Konventë midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë mbi ndihmën gjyqësore në çështjet civile dhe penale, nënshkruar më 17.5.1993.
18. Marrëveshje midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për bashkëpunimin e administratave të tyre doganore, nënshkruar më 17.5.1993, hyrë në fuqi më 9.7.1993.
19. Konventë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, nënshkruar më 14.7.1995, hyrë në fuqi më 13.12.2000.
20. Traktat i miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke, nënshkruar më 21.3.1996, hyrë në fuqi më 4.2.1998.
21. Marrëveshje për punësimin sezonal të fuqisë punëtore midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke, nënshkruar më 17.5.1996.
22. Marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për krijimin e posteve konsullore, nënshkruar më 17.5.1996.
23. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave dhe pasagjerëve, nënshkruar më 20.6.1997, hyrë në fuqi në 25.11.1998.
24. Marrëveshje midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke për hapjen e pikave të reja të kalimit kufitar, nënshkruar më 15.10.1997.
25. Protokoll bashkëpunimi, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, nënshkruar më 15.10.1997.
26. Protokoll i asistencës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke në lidhje me integrimin euroatlantik të Shqipërisë, nënshkruar më 8.3.1998.
27. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për bashkëpunimin në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës, nënshkruar më 4.11.1998.
28. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit, nënshkruar më 22.12.1999.
29. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke mbi ndërtimin e Urës së re ndërkufitare midis dy vendeve në zonën e postës kufitare në Tri Urat, nënshkruar më 24.8.1999.
30. Marrëveshje e huasë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke për projektin e infrastrukturës sociale për sektorin e arsimit, nënshkruar më 25.7.2000.
31. Marrëveshje e huasë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke për projektin e infrastrukturës sociale për sektorin e shëndetësisë, nënshkruar më 25.7.2000.
32. Protokolli i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke, në fushën e sigurimeve shoqërore, nënshkruar më 22.7.2002, hyrë në fuqi më 1.5.2003
33. Program mbi bashkëpunimin kulturor midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për vitet 2003-2005, nënshkruar më 3.4.2003.
34. Marrëveshje mbi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greqisë, nënshkruar më 10.11.2003.
35. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për krijimin e Komisionit të Përhershëm Shqiptaro-Grek mbi çështjet e ujërave të ëmbla ndërkufitare, nënshkruar më 3.4.2003, hyrë në fuqi më 23.11.2005.
36. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, nënshkruar më 3.9.2003, hyrë në fuqi më 10.3.2005.
37. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për mbrojtjen dhe asistencën e fëmijëve, viktima të trafikut, nënshkruar më 27.2.2006, hyrë në fuqi 5.12.2008.
38. Marrëveshje sigurie ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar, nënshkruar më 14.2.2006, hyrë në fuqi më 7.8.2007.
39. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për bashkëpunimin në fushën e postave dhe komunikimit elektronik, nënshkruar më 6.4.2006, hyrë në fuqi më 6.6.2008.
40. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për bashkëpunimin në fushën e energjisë, nënshkruar më 13.9.2006, hyrë në fuqi më 27.3.2007.
41. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës Greko-Italiane, të vitit 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta në territorin e Republikës së Shqipërisë, nënshkruar më 9.2.2009, hyrë në fuqi më 5.5.2010.
42. Protokolli ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke, për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe për bashkëpunimin ndërmjet ministrive përkatëse të rendit publik, mbështetur në kompetencat e tyre, nënshkruar në Tiranë, më 12.3.2010, hyrë në fuqi më 4.10.2013.
43. Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, nënshkruar në Sunio, më 11.5.2018, hyrë në fuqi më 4.2.2020.
44. Memorandum Mirëkuptimi Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë mbi bashkëpunimin ndërmjet Spitalit të Fëmijëve Aghia Sophia në Athinë dhe Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë, nënshkruar më 27.4.2018.
45. Memorandum i Mirëkuptimit midis Qeverisë së Republikës së Greqisë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë mbi Bashkëpunimin e Spitalit të Fëmijëve “Aghia Sophia” në Athinë dhe Q.S.U.T “Nënë Tereza”, nënshkruar më 27.4.2018, në Athinë.
46. Protokoll ndryshues i Marrëveshjes për programin dypalësh të ndihmës e të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, nënshkruar më 26.1.2021, hyrë në fuqi më 11.10.2021.
47. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë mbi ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore, nënshkruar më 18.1.2021.