Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga dhe Sekretarja e Parë për Diplomacinë Ekonomike, znj. Joana Zhonga mirëpritën në një takim në Ambasadën Shqiptare në Athinë CEO e Navigator Shipping Consultants dhe Sekretare e Përgjithshme e Propeller Club of the U.S. – International Port of Piraeus, znj. Danae Bezantakou.
Ky takim shërbeu si një mundësi e vlefshme për të diskutuar mbi potencialin e bashkëpunimit në fushën e transportit detar, tregtinë ndërkombëtare, si dhe rolin që luan diplomacia ekonomike në forcimin e lidhjeve midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Gjatë takimit u trajtuan gjithashtu temat e mentorimit të grave sipërmarrëse përmes rrjetit iforU – Greek Mentoring Network, si dhe hapësirat për bashkëpunim me komunitetin shqiptar të sipërmarrësve në Greqi dhe Shqipëri. Një fokus i veçantë iu kushtua përfshirjes së të rinjve shqiptarë në Greqi nëpërmjet YES Forum – Young Executives Shipping Forum, një platformë e rëndësishme për fuqizimin e brezit të ri të profesionistëve në industrinë detare.
Synimi i përbashkët është forcimi i një bashkëpunim të frytshëm dhe thellimi i shkëmbimit të njohurive dhe mundësive, duke nxitur çlirimin e potencialit të lartë të burimeve njerëzore që disponon komuniteti shqiptar në Greqi.