Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Elisa Spiropali, zhvilloi më 16–17 dhjetor 2025 një vizitë zyrtare në Athinë, ku u prit nga Presidenti i Republikës Greke, z. Konstantinos Tasoulas, Ministri i Punëve të Jashtme, z. George Gerapetritis dhe Ministri i Mbrojtjes, z. Nikos Dendias.



Gjatë takimeve u diskutuan prioritetet dypalëshe, zhvillimet rajonale, bashkëpunimi në kuadër të BE dhe NATO-s, si dhe u adresuan nevoja për lehtësimin e aspekteve administrative të komunitetit shqiptar në Greqi. Ministrja zhvilloi gjithashtu një takim me diasporën shqiptare, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e saj në marrëdhëniet mes dy vendeve.


Agjenda përfshiu tryeza të rrumbullakëta organizuar nga (ELIAMEP) dhe nga Forumi Ekonomik i Delfit, ku u prezantuan vizioni evropian i Shqipërisë, transformimi ekonomik i vendit, si dhe mundësitë për investime strategjike. Vizita përfundoi me pritje zyrtare me Trupin Diplomatik dhe autoritetet greke, duke riafirmuar angazhimin për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi, fqinjësi të mirë dhe partneritet evropian në funksion të interesave të përbashkëta dhe stabilitetit rajonal.













