Më 10 dhjetor, Tirana mirëpriti edicionin e pestë të Tirana Economic Forum, një platformë e konsoliduar dialogu që mblodhi vendimmarrës, ekspertë dhe përfaqësues të sektorëve strategjikë në panele të fokusuara në vizionin ekonomik të vendit dhe projektet konkrete që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm rajonal.

Forumi u hap me pjesëmarrjen e Kryeministrit, z. Edi Rama; Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, znj. Elisa Spiropali; Ministres së Ekonomisë dhe Financave, znj. Delina Ibrahimaj; Ministrit të Mbrojtjes, z. Pirro Vengu; si dhe zëvendësministrave dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare dhe Ekstraversionit të MPJ-së Greke, z. Dimitris Skalkos, së bashku me drejtues të lartë të institucioneve publike. Të pranishëm ishin gjithashtu diplomatë, investitorë, përfaqësues të shoqërisë civile, akademisë, dhomave të tregtisë, sipërmarrës dhe ekspertë shqiptarë, grekë dhe ndërkombëtarë, të cilët sollën analiza të thelluara mbi perspektivat e zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.



Diskutimet u përqendruan në transformimin ekonomik të Shqipërisë, një proces i mbështetur tek inovacioni, teknologjia, digjitalizimi dhe rritja e prodhimit me vlerë të shtuar. Folësit nënvizuan rolin strategjik të energjisë së pastër, si dhe objektivin që Shqipëria të bëhet eksportuese neto e energjisë deri në vitin 2030. U veçua gjithashtu forcimi i klimës së investimeve dhe rritja e pranisë së produkteve “Made in Albania” në tregjet europiane.

Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, e shoqëruar nga diplomatja për çështjet ekonomike dhe tregtare, znj. Joana Zhonga, ndoqën punimet e forumit, duke theksuar rëndësinë e këtij formati në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik shqiptaro-grek dhe në rritjen e rolit të Tiranës si një qendër e rëndësishme e dialogut rajonal.



Ambasada e Shqipërisë në Athinë, si partnere e këtij edicioni, falënderon Delphi Economic Forum dhe z. Simeon Tsomokos për zgjedhjen e Tiranës si vend organizimi të një forumi të këtij niveli dhe për kontributin e tyre të çmuar në forcimin e dialogut ekonomik në rajon.




