Gjatë një vizite zyrtare në Athinë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, i shoqëruar nga një delegacion parlamentar, zhvilloi një sërë takimesh në Parlamentin e Greqisë, në kuadër të forcimit të dialogut politik dhe bashkëpunimit ndërparlamentar.

Në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Greqisë, Nikitas Kaklamanis, u vlerësua klima pozitive dhe konstruktive e marrëdhënieve dypalëshe, të mbështetura në partneritetin në NATO, interesat strategjike të përbashkëta dhe perspektivën europiane të rajonit. U theksua gjithashtu roli i komunitetit shqiptar në Greqi dhe i minoritetit grek në Shqipëri si ura të qëndrueshme mes dy vendeve.
Mbështetja e Greqisë për integrimin europian të Shqipërisë u rikonfirmua si një prioritet i përbashkët. Kryetari i Kuvendit vlerësoi këtë qëndrim të vazhdueshëm, ndërsa u nënvizua progresi i arritur në procesin e negociatave me Bashkimin Europian dhe objektivi për përmbylljen e tyre brenda vitit 2027.

Delegacioni shqiptar zhvilloi gjithashtu takime me Ioannis Plakiotakis, Kryetar i Komisionit për Çështjet Europiane, me anëtarë të këtij komisioni, si dhe me Dimitrios Kairidis dhe anëtarët e komisionit përkatës.


Po ashtu, u zhvillua takim me Grupin Parlamentar të Miqësisë Greqi-Shqipëri, të kryesuar nga Efstathios Konstantinidis, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, thellimi i dialogut politik dhe avancimi i agjendës së integrimit europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.
Në këto takime u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimet tregtare, investimet dhe turizmi, si dhe roli i komuniteteve respektive – shqiptarëve në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri – si elementë të rëndësishëm të lidhjeve njerëzore dhe historike mes dy vendeve.

Vizita riafirmoi vullnetin e përbashkët për të thelluar më tej partneritetin strategjik Shqipëri–Greqi, të bazuar në fqinjësi të mirë, respekt të ndërsjellë, aleancën në NATO dhe perspektivën europiane.



